Udhëtimi drejt Lyonit, për ndeshjen e radhës të PAOK-ut të Selanikut (nesër, ora 21:00 në Francë), u shndërrua në fundin tragjik të jetës për shtatë tifozë ultras. Aksidenti fatal i ndodhur të martën, në rajonin Timis të Rumanisë, pranë qytetit Lugoj, preu në mes ëndrrat dhe pasionin e tyre, duke i ndalur përgjithmonë në rrugën drejt stadiumit.
Furgoni i zi me të cilin ata ishin nisur nga Selaniku nuk do të mbërrijë kurrë në Lyon. Mesdita e së martës i devijoi drejt një rruge tjetër, përtej kësaj bote. Përplasja ballë për ballë me një kamion ishte fatale për shtatë prej tyre, ndërsa tre tifozë të tjerë i shpëtuan mrekullisht vdekjes, pavarësisht skenës së tmerrshme që u zhvillua brenda mjetit pas përplasjes shkatërruese.
Mes viktimave ndodhej edhe shqiptari Vasil Pilo, një tifoz besnik që nuk kishte munguar kurrë në ndeshjet e ekipit të zemrës. Ndërkohë, shqiptari tjetër, Genci Sadiku, ishte një nga tre të mbijetuarit, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, megjithëse ka pësuar disa lëndime, sipas raportimeve të mediave rumune dhe greke.
Një dëshmi tronditëse mbi shkaqet e aksidentit është bërë publike nga mjeku grek Dimitris Koukoulas, i cili u nis me urgjencë drejt spitalit ku u transportuan të plagosurit. Sipas tij, një nga të mbijetuarit i ka treguar se gjatë një manovre parakalimi, timoni i furgonit u bllokua papritur për shkak të aktivizimit të sistemit automatik të ndihmës për mbajtjen e korsisë.
“Fola me dy nga tre të plagosurit. Pacienti që është në gjendjen më të mirë ka fraktura në gjymtyrët e poshtme dhe më shpjegoi se gjatë parakalimit u aktivizua asistenti i korsisë, duke bllokuar timonin. Shoferi humbi kontrollin dhe nuk arriti ta rikthente automjetin në trajektore”, deklaroi Koukoulas për televizionin shtetëror grek ERT.
Sipas mjekut, ekziston mundësia që një defekt teknik ose një situatë e papritur brenda automjetit të ketë pamundësuar reagimin e shoferit, ndërsa ai theksoi se koha e reagimit në hyrje të korsisë së kundërt është tepër e shkurtër për të shmangur një përplasje të tillë fatale.
Itinerari përmes Bullgarisë, Rumanisë dhe Hungarisë ka qenë prej vitesh një zgjedhje e zakonshme për tifozët e PAOK-ut në udhëtimet evropiane, pasi këto vende janë pjesë e Bashkimit Evropian dhe shmangin pritjet e gjata në kufijtë me shtetet joanëtare si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnja.
Segmenti i rrugës ku ndodhi aksidenti njihet si tepër i rrezikshëm dhe nga mediat lokale cilësohet si “rruga e vdekjes”, për shkak të numrit të lartë të aksidenteve të rënda. Bëhet fjalë për një rrugë të ngushtë, kryesisht me dy korsi, pa ndarëse apo barriera sigurie për disa kilometra, duke e kthyer çdo parakalim në një rrezik të madh për jetën.
