Ndahet nga jeta në moshën 54-vjeçare Prof. Asoc. Dr. Artan Pogoni, një prej figurave më të njohura të sportit dhe arsimit universitar në Shqipëri.

Pogoni humbi jetën në Vlorë si pasojë e një infarkti, duke lënë pas një kontribut të vyer në fushën e edukimit fizik, shkencave të sportit dhe administrimit sportiv.

Ai ushtronte detyrën e Shefit të Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Fakultetin e Shkencave Sociale, Turizmit dhe Sportit në Universitetin “Barleti”, si edhe ishte anëtar i Senatit Akademik të këtij institucioni.

Me një karrierë të gjatë akademike dhe profesionale, Artan Pogoni ishte Doktor Shkencash dhe zotëronte katër diploma universitare. Gjatë veprimtarisë së tij ai u përqendrua në zhvillimin e kërkimit shkencor në fushën e sportit, duke publikuar 12 punime shkencore dhe dy tekste universitare. Gjithashtu, ai ishte pjesë e projekteve ndërkombëtare Tempus dhe Erasmus+, të fokusuara në modernizimin e arsimit dhe sportit.

Kontributi i tij shtrihej edhe në administrimin sportiv. Ai ka shërbyer si drejtor sporti në Bashkinë e Tiranës, ndërsa vitet e fundit ishte pjesë e drejtimit të klubit Barleti Volej dhe ka kontribuar edhe si trajner i ekipit të femrave.

Përveç angazhimit profesional, Pogoni ishte një zë aktiv në diskutimet për zhvillimin e sportit shqiptar, duke ngritur shpesh shqetësime për organizimin dhe funksionimin e institucioneve sportive.

Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje të madhe për komunitetin akademik dhe sportiv. Kolegë, studentë dhe sportistë e kujtojnë Artan Pogonin si një pedagog të përkushtuar, studiues dhe profesionist që ia kushtoi jetën edukimit dhe zhvillimit të sportit në Shqipëri.