Një dokumentar i ri i Prime Video, i titulluar “Beautiful Obsession”, sjell prapaskena nga dy vitet e fundit të Pep Guardiolës në drejtimin e Manchester Cityt, duke ndërthurur vështirësitë sportive të skuadrës me periudhën e trazuar që trajneri spanjoll po kalonte në jetën private.
Në dokumentar shfaqen momente të papublikuara nga dhomat e zhveshjes, ku Guardiola flet hapur me futbollistët për presionin, rezultatet dhe rëndësinë e motivimit. Në një prej tyre, pas humbjes 2-0 ndaj Bayer Leverkusen në Ligën e Kampioneve, spanjolli përdori divorcin nga Cristina Serra për t’u shpjeguar lojtarëve se çfarë do të thotë të humbasësh pasionin.
Guardiola u tregoi futbollistëve se, pavarësisht dashurisë që vazhdonte të kishte për ish-bashkëshorten, marrëdhënia e tyre kishte humbur diçka thelbësore me kalimin e viteve.
“Jam divorcuar nga gruaja më e bukur në planet. Është ish-gruaja ime dhe e dua jashtëzakonisht shumë. Por për shumë arsye humbëm pasionin”, u tha ai lojtarëve.
Trajneri e lidhi menjëherë përvojën e tij personale me atë që kërkonte të shihte në fushën e lojës. Për Guardiolën, talenti nuk mjaftonte nëse futbollistëve u mungonte dëshira dhe energjia e brendshme për të konkurruar.
“Në çdo gjë që bëni në jetë, bëjeni me pasion. Nuk dua thjesht lojtarë të mirë. Dua lojtarë që kanë pasion”, ishte mesazhi i tij për skuadrën.
Por fjalimi mori më pas tone shumë më të ashpra. I pakënaqur me paraqitjen e Cityt, Guardiola u kujtoi lojtarëve sakrificat personale që, sipas tij, kishte bërë për të qëndruar në krye të skuadrës.
Ai u shpreh se familja e tij ndodhej larg dhe se problemet personale nuk e kishin penguar të vazhdonte t’i përkushtohej ekipit. Në këmbim, Guardiola tha se kishte marrë një paraqitje që e konsideronte të papranueshme.
Spanjolli shkoi deri aty sa paralajmëroi futbollistët se vazhdimi i rezultateve dhe performancave të tilla mund të sillte largimin e tij dhe ardhjen e një trajneri tjetër.
Dokumentari ndalet gjithashtu te marrëdhënia e Guardiolës me Cristina Serrën dhe ndikimi që distanca pati në jetën e tyre. Ndarja e çiftit erdhi në një periudhë kur trajneri vendosi të vazhdonte aventurën e tij me Manchester Cityn, ndërsa Serra ishte rikthyer për të jetuar në Spanjë.
Pas largimit nga futbolli, Guardiola raportohet se ka vendosur t’i kushtojë më shumë kohë jetës personale dhe familjes, ndërsa janë ngritur edhe pikëpyetje mbi mundësinë e një afrimi të ri mes tij dhe ish-bashkëshortes.
