Neymar ka lënë të kuptohet se i ka dhënë fund aventurës me kombëtaren braziliane, pas eliminimit surprizë të Brazilit nga Norvegjia në Kupën e Botës.

Sulmuesi 34-vjeçar realizoi nga pika e bardhë në minutat shtesë të ndeshjes, por goli i tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen 2-1 dhe eliminimin e “Seleçaos”.

Pas sfidës, Neymar u shfaq tepër i emocionuar dhe i zhgënjyer, duke lënë të kuptohet se kjo ishte paraqitja e tij e fundit me fanellën e Brazilit.

“U përpoqa. U përpoqa. Gjithçka nisi këtu, në MetLife Stadium, dhe këtu edhe përfundoi. Tani ka marrë fund”, deklaroi ylli brazilian pas ndeshjes.

Neymar mbyll kështu një epokë të rëndësishme me kombëtaren braziliane, ku arriti të shënojë 80 gola dhe të bëhet një nga futbollistët më të rëndësishëm në historinë e Brazilit.