Ish-futbollisti hungarez Ákos Buzsáky është shpallur i zhdukur dhe aktualisht po kërkohet nga autoritetet.
Mesfushori, i cili gjatë karrierës zhvilloi 20 ndeshje me kombëtaren e Hungarisë, u bë i njohur edhe për periudhën e tij te Porto, ku në vitin 2003 fitoi kampionatin portugez, Kupën e Portugalisë dhe Kupën UEFA nën drejtimin e José Mourinhos.
Buzsáky nuk arriti të siguronte një rol të rëndësishëm në sezonin pasardhës, i cili kulmoi me triumfin e Portos në Ligën e Kampionëve. Më pas ai vijoi karrierën në Angli, ku luajti për Plymouth Argyle, Queens Park Rangers, Portsmouth dhe Barnsley, përpara se të tërhiqej nga futbolli në vitin 2015, pas një periudhe te Ferencváros.
Pas tërheqjes nga futbolli, Buzsáky provoi të vijonte karrierën në role si trajner dhe drejtor teknik, por pa arritur suksesin e dëshiruar. Në intervista për mediat hungareze, ish-mesfushori ka folur hapur edhe për vështirësitë që përjetoi pas largimit nga futbolli profesionist dhe për problemet me varësinë, të cilat sipas tij nisën si pasojë e humbjes së motivimit sportiv.
Policia hungareze e ka përfshirë emrin e Buzsáky në listën e personave të kërkuar, ndërsa deri tani nuk janë bërë të ditura rrethanat e zhdukjes së tij. Autoritetet pritet të japin më shumë informacion ndërsa vijojnë kërkimet për ish-futbollistin 44-vjeçar.
Top Channel
