Paralajmërimi


UEFA u dërgoi që në nëntor 2014 të gjitha Federatave anëtare një shkresë ku u shpjegonte identifikimin, përdorimin e dronëve si dhe rreziqet që mund të vinin prej fluturimeve të tyre mbi stadiume


Serbi-Shqipëri në epiqendër të diskutimeve edhe për shfaqjet e dhunës në stadiume 


Ermal Kuka


UEFA Drone reviewQë pas 14 tetorit të vitit të kaluar, Mishel Platini u ka shpallur luftë dronëve. “Po sikur droni të kishte një bombë?”, fraza e famshme e lëshuar nga presidenti i UEFA-s një ditë pas fluturimit të “Autochthonous” mbi Beograd, tani është bërë pjesë e një seminari të organizuar për këtë çështje gjatë takimit të përvitshëm të oficerëve të sigurisë të federatave dhe klubeve elitare europiane.


Tema e përgjithshme e takimit që u mbajt në Varshavë ishte rritja e ngjarjeve të dhunshme në stadiumet europiane. Për këtë arsye, konferenca kishte emërtimin “T’i përgjigjemi rrezikut”, ndërsa pjesëmarrës ishin edhe zyrtarë të Bashkimit Europian, të cilët kanë dëgjuar mënyrat nëpërmjet të cilave UEFA dëshiron të kthejë sigurinë në stadiume, të cilat kohët e fundit janë kthyer në arena luftimesh mes tifozerive problematike. Zëvendëspresidenti i UEFA-s, Mishel Van Prag, ka premtuar subvencionime për trajnimin e stjuardëve në stadiume, në mënyrë që të jenë të gatshëm për çdo situatë. Ai ka bërë të ditur se këto trajnime kanë rezultuar të suksesshme, edhe pse në fakt projekti-pilot i tyre në Serbi, ka rezultuar i dështuar. Ndonëse UEFA paguan që prej vitit 2012 për trajnimin e vazhdueshëm të stjuardëve dhe forcave policore që garantojnë rendin në stadiumet serbe, më 14 tetor të vitit të kaluar, “të trajnuarit” nuk bënë detyrën e tyre. Përkundrazi, disa nga personat të cilët kishin marrë certifikatën nga UEFA, nuk hezituan të ktheheshin në huliganë për të goditur futbollistët shqiptarë, të cilët duhej t’i kishin mbrojtur. Një tjetër dështim i asaj ndeshjeje, hyrja në stadium e personave me precedentë si Ivan Bogdanov, është kthyer në mësim për UEFA-n. Ajo do të kërkojë më shumë rreptësi në këtë aspekt, si dhe bashkëpunim më të ngushtë me forcat e rendit për të garantuar që personazhe të tillë të mbeten përfundimisht jashtë stadiumeve.


uefa_1Nëse për masat e ndryshme është folur në një konferencë të hapur për diskutime nga delegatët, UEFA i ka kushtuar një seminar të veçantë çështjes së përdorimit të dronëve mbi stadiume apo rreth tyre duke dhënë vetëm direktiva. Ajo e ka cilësuar këtë një rrezik potencial në rritje për mbarëvajtjen e ndeshjeve, duke marrë shkas pikërisht nga ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë. UEFA ka kategorizuar përdoruesit e dronëve, duke i ndarë ata në jo-keqdashës (filmues apo fotografues), keqdashës (të cilët duan të bëjnë një protestë apo qëndrim publik), si dhe të dhunshëm (persona që kanë si qëllim të shkaktojnë dëmtime apo viktima). Sipas UEFA-s, ishte e rëndësishme që situata të mbetej nën kontroll të plotë sidomos për të shmangur rastin e tretë, atë më të rrezikshmin për jetën e tifozëve. Duke u përqendruar te ngjarjet e Beogradit, në seminar është theksuar fakti se fluturimi i një droni në stadium gjatë ndeshjes mund të sillte reagime të papëlqyeshme nga tifozët, duke penalizuar zhvillimin normal të ndeshjeve. Mes sugjerimeve të UEFA-s ishin kontrollet më të rrepta në hyrje të stadiumeve, duke menduar se personat që manovrojnë dronët janë shpesh brenda impianteve. Njëkohësisht, si alternativë është menduar edhe caktimi i personave të veçantë, të cilët duhej të qëndronin roje në pika të ndryshme të stadiumit, për të vëzhguar nëse ndonjë “mjet fluturues” i afrohej impiantit, ndonëse UEFA ka pranuar se një detyrë e tillë do të ishte shumë e vështirë në stadiumet e mëdha të kontinentit.