Tjetër ndeshje për gjyqtaren Emanuela Rusta. Këtë radhë në Tuente-Atletiko Madrid e cila është e vlefshme për “Uefa Women’s Champions League”.
UEFA i ka besuar një tjetër përballje interesante arbitres nga Elbasani, Emanuela Rusta, e cila këtë herë do të ketë mundësinë të arbitrojë në kompeticionin madhështor të Ligës së Kampioneve për femra.
Ndihmës të Rustës do të jenë po arbitre femra Mirjeta Salla po nga Elbasani dhe Ediena Kapxhiu nga Durrësi, ndërsa gjyqtare e katërt është caktuar Kejsi Tafili nga Tirana.
Në sistemin VAR Kreshnik Barjamaj, në AVAR Albert Doda. Të dy nga Tirana.
Më herët arbitrja shqiptare Emanuela Rusta u caktua nga UEFA në ndeshjen Spanjë U-21 – San Marino U-21, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian “Shqipëri – Serbi 2027”.
Kjo ishte hera e parë që UEFA i besoi një arbitreje shqiptare drejtimin e një ndeshjeje të djemve në nivelin U-21, një moment historik për arbitrimin shqiptar dhe për vetë Emanuela Rustën.
Takimi u zhvillua në stadiumin “Angel Carro” në Spanjë, më 14 nëntor, ndërsa e gjithë trupa gjykuese ishte shqiptare. Ilir Tartaraj dhe Xhulio Mani asistentë të dytë dhe të tretë, ndërsa Andi Koçi mbajti detyrën e arbitrit të katërt.
Arbitrat shqiptarë po bëhen gjithnjë e më të pranishëm në ndeshjet europiane, dhe ky është një tjetër hap i rëndësishëm në afirmimin e arbitrimit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Për vite me radhë, Emanuela Rusta ka qenë një emër që ka sfiduar paragjykimet dhe kufijtë gjinorë në sport. Si e vetmja grua që ka gjykuar në nivelet më të larta të futbollit për meshkuj në Shqipëri, ajo ka fituar respektin e publikut dhe institucioneve ndërkombëtare.
