Konflikti mes UEFA-s dhe FIFA-s është përshkallëzuar ndjeshëm, pasi drejtuesit e futbollit europian kanë ngritur pretendime të rënda ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për një plan financiar që tashmë është tërhequr.

Sipas dokumenteve ligjore të raportuara nga The Sun, UEFA ka depozituar një dosje prej 60 faqesh në një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara, ku vihet në pikëpyetje mënyra se si u planifikua shitja e një pjese të të drejtave të turneve të FIFA-s.

Në qendër të çështjes është një projekt për shitjen e 20 për qind të aksioneve në turnetë e FIFA-s, me një vlerë të parashikuar prej rreth 3.1 miliardë paundësh. UEFA pretendon se vlera e vendosur ishte jashtëzakonisht e ulët dhe se marrëveshja nuk ishte testuar përmes një procesi të hapur konkurrues apo nga një vlerësues i pavarur.

Çështja është depozituar në Gjykatën Federale të Distriktit Jugor të Floridës, e cila ka juridiksion mbi bazën e FIFA-s në Coral Gables.

Por përplasja nuk është vetëm financiare. UEFA po shqyrton edhe mundësinë e ndjekjes penale në Zvicër ndaj Infantinos dhe zyrtarëve të tjerë të FIFA-s. Në dokumente përmendet mundësia e akuzave për “keqmenaxhim kriminal”, vepër që mund të dënohet deri në tre vite burg.

Plani, i prezantuar përmes projektit “FIFA Forward Enterprises”, synonte t’u ofronte 211 federatave anëtare pagesa prej rreth 30 milionë paundësh për një periudhë katërvjeçare. Federatat kishin një periudhë të shkurtër për të vendosur nëse do t’i bashkoheshin skemës.

Pas reagimeve dhe kritikave të forta nga aktorë të futbollit ndërkombëtar, projekti u tërhoq. UEFA pretendon se pagesat e propozuara mund të shërbenin si një lloj “nxitjeje” për federatat që të mbështesnin marrëveshjen.

Përplasja vjen në një moment të rëndësishëm për Infantinon, ndërsa afrohen zgjedhjet e ardhshme për presidencën e FIFA-s. UEFA duket se po e shton presionin ndaj drejtimit të organizatës botërore, duke e zhvendosur konfliktin nga arena sportive edhe në atë ligjore.