Trajneri Rolando Maran është detyruar të bëjë një ndryshim në listën e Kombëtares shqiptare për sfidat e ardhshme në UEFA Nations League. Qazim Laçi është larguar nga grumbullimi për shkak të një problemi fizik, ndërsa vendin e tij do ta marrë Feta Fetai.

Mesfushori kuqezi pësoi dëmtimin gjatë ndeshjes së fundit, teksa ndjeu dhimbje të forta në pjesën e pasme të kofshës. Kontrollet mjekësore të kryera mëngjesin e sotëm, përfshirë rezonancën magnetike, konfirmuan një dëmtim të shkallës së parë në muskulin fleksor të kofshës së majtë.

Gjendja fizike nuk e lejon Laçin të vihet në dispozicion të stafit teknik për ndeshjet e radhës, ndaj ai do të rikthehet pranë klubit të tij, ku do t’i nënshtrohet programit të rikuperimit.

Stafi i Kombëtares ka reaguar menjëherë duke thirrur Feta Fetain. Futbollisti pritet t’i bashkohet skuadrës dhe të zhvillojë përgatitjet së bashku me pjesën tjetër të grupit.

Kuqezinjtë kanë nisur këtë të hënë grumbullimin për katër ndeshjet e para të UEFA Nations League. Shqipëria do të luajë ndaj Bjellorusisë dhe Finlandës, ndërsa me San Marinon do të zhvillojë dy përballje.