Ftesa
UEFA – Organizata ndërkombëtare ka caktuar disa detyra për FFK-në, ndërsa ekspertë të saj do të vizitojnë vazhdimisht Kosovën
Federata Kosovare e Futbollit është ftuar zyrtarisht nga UEFA për të marrë pjesë në një takim mes Federatave të organizuara në Maltë gjatë ditëve të ardhshme. Presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, do të jenë të pranishëm në këtë takim treditor, nga data 14 deri më datë 17 shtator, përkrah homologëve të tyre nga vende të ndryshme të Europës, të cilët do të diskutojnë problematikat e fundit të futbollit europian para mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Në këtë mbledhje, do të merret në shqyrtim dhe aplikimi i FFK-së për anëtarësim në UEFA, ndërsa pritet që pala kosovare të raportojë edhe punën e bërë për të arritur standardet e kërkuara që nga momenti kur Vokrri dorëzoi në duart e Mishel Platini dosjen e aplikimit. FFK pret që Ekzekutivi i UEFA-s t’i hapë rrugë anëtarësimit të saj, i cili më pas duhet të miratohet nga Federatat anëtare në Kongresin që zhvillohet në marsin e vitit 2016. Gjithsesi, UEFA duket se ka filluar të trajtojë drejtuesit e futbollit kosovar ashtu si ata të vendeve të tjera, pasi Vokrri e Salihu tashmë do të përfshihen në axhendën e saj për aktivitetet zyrtare. Të dy figurojnë edhe në listën e skuadrave për ndeshjen tradicionale mes presidentëve dhe sekretarëve që zhvillohet në mbledhje të tilla. Vetë Platini do të jetë pjesë e skuadrës së presidentëve, ku mes të tjerëve do të luajnë shumë ish-futbollistë të shquar si Bonjek, Shuker apo Saviçeviç.