“Ky është momenti dhe ky është viti kur do të ndahem nga atletët e tjerë në botë”, thotë i madhi Usain Bolt, përmes një deklarate të qetë, pak para çeljes së Lojërave Olimpike në Londër. Njeriu që konsiderohet si më i shpejti në botë flet me shumë seriozitet dhe me përgjegjësi të madhe për këtë çështje, ndërsa ngulmon se në ditët e këtyre lojërave, në garim do të vulosë trashëgiminë e tij.


“Para meje ka pasur shumë njerëz dhe legjenda, por e ndiej se kjo është koha ime”, thotë atleti. Në fakt, nuk ka asnjë lloj arrogance në këto pohime të tij. Ai duket thellësisht i bindur dhe i prerë. Xhamajkani 25-vjeçar, që ka provuar suksesin maksimal, por edhe disfata në jetë, e di mirë se, nëse do t’ia dalë mbanë në sfidën e re që i ka vënë vetes në këtë Olimpiadë, mund të bëhet përjetësisht pjesë e panteonit të gjigandëve të të gjitha kohërave. Deri tani askush nuk ka mundur që të mposhtë arritjen e tij olimpike në 100 dhe 200 metra. Nëse Bolt do t’ia dalë mbanë në Londër, që të kalojë veten e tij, kjo do të jetë një gjë e jashtëzakonshme për të gjithë botën e sportit. Në Olimpiadën e Pekinit ai mori tre medalje të arta dhe emri i tij bëri jehonë dhe u rendit përkrah të famshmëve të tjerë, të gjithë medalistë të artë, si: Jesse Owens, Muhamed Ali, Pele apo Michael Phelbs.


Në vitin 2008, 3 miliardë njerëz e panë që të kalonte rekordin botëror dhe të fitonte Olimpiadën, në finalen e 100 metrave dhe ta bënte mbi të gjitha një garë të tillë me lehtësinë më të madhe. Në këto rezultate të jashtëzakonshme luan pa dyshim një rol shumë të madh edhe fiziku i tij, fiziku i njeriut më të shpejtë në planet. Me qetësinë e tij ai mori medaljen në Pekin dhe qëndrimi sfidues e bënte, padyshim, të paarritshëm, që me shpejtësinë e tij kishte arritur të pushtonte botën.


Por këtë herë në Londër do të jetë ndryshe. Bolt do të testohet në të njëjtën mënyrë, vetëm se vëmendja ndaj tij do të jetë shumë më e madhe se në olimpiadën që shkoi, ndërsa ai do të përpiqet që të fitojë titullin e atletit më të famshëm në historinë e njerizimit. Një ditë para Olimpiadës ai deklaroi se ishte shumë i qetë dhe i kënaqur në sfidën që i kishte vënë vetes dhe se ishte plot besim që do t’ia dilte mbanë. E megjithatë, ai nuk do ta ketë të lehtë. Vjet, në Korenë e Jugut, në Kampionatin e Botës ai e humbi titullin e 100 metrave, pasi u skualifikua në që në start. Bolt ulëriti nga hidhërimi, gara u fitua nga rivali i tij më i ri, shoku i klubit, Blake. Dy muaj më parë, në maj, Bolt bëri garimin më të keq në karrierën e tij profesionale, duke humbur 10 sekonda të çmuara nga arritja e objektivit. Ishte një goditje, të cilën ai u përpoq ta justifikonte, por në fakt do të duhet shumë punë për të vënë nderin në vend. Por më e keqja nuk kishte ardhur ende. Në 30 qershor, ai u mund nga Blake, 22 vjeç, në garën e 100 metrave, një garë, ku atleti, për shumë vjet, është konsiderohet si njeri i pamposhtur. Por gjithë këto humbje të Bolt-it kanë shtuar vëmendjen ndaj rivalit të tij Blake dhe ndaj një garimi, që do të ketë një rivalitet shumë të fortë në Olimpiadën e Londrës. Blake është kërcënimi më i madh i titullit që mban Bolt-i si “njeriu më i shpejtë në botë”. Në provat e fundit, para Olimpiadës, ai është jo vetëm i vendosur, por edhe i hapur për çdo gjë që ka të bëjë me të dhe objektivin që i ka vënë vetes. Ai rrëfen se gjatë këtyre viteve të famës është përballur edhe me shumë vështirësi dhe probleme, të cilat më parë ishin të panjohura për të dhe këto e kanë bërë më të fortë mendërisht dhe më të qëndrueshëm emocionalisht. “Kur kalon shumë sfida, madje dhe shumë vështirësi dhe ia del mbanë, atëherë mësohesh që t’i mirëpresësh sfidat dhe gjithçka që të vjen në jetë, sepse tashmë e kupton se ato vijnë për një arsye dhe se duhen përballuar.” Ai ndihet se është në formën e duhur për të tejkaluar vetveten.  Dhe të besosh se Bolt është e lehtë. Fillimisht, për shkak të punës së madhe paraprake që ai ka bërë, falë talentit dhe trupit që i ka dhënë Zoti dhe falë besimit se humbjet që ka pësuar i kanë bërë mirë. “Të humbasësh të bën mirë, sepse një humbje është si një zile alarmi”, thotë sprintieri. Ndërsa për humbjet e tij, disa thonë se, kur Bolt nisi të zbavitej dhe të pinte shumë, pas fitores së madhe, e gjitha kjo çoi në humbjen e formës së duhur fizike dhe në pësimin e humbjeve të njëpasnjëshme. “Po mund të jetë e vërtetë, por kam mësuar nga gabimet e mia. Jam përpjekur që t’i vendos gjërat në vendin e duhur dhe të rris besimin e tronditur në vete”. Megjithatë, Bolt, sipas disave, nuk është në formën e tij më të mirë fizike dhe vështirë se mund të tejkalojë vetveten në Londër. “Armiku” i tij më i madh është Blake. Bolt-i e di aftësinë e këtij sportisti të shkëlqyer, që ka edhe një ambicie shumë të madhe. Është një rival, që ka arritur majat dhe sigurisht që do të dominojë garat e shpejtësisë së kësaj Olimpiade. E megjithatë, ata vazhdojnë të ndajnë edhe miqësi me njëri-tjetrin, madje në Kampionatin Botëror, një vit më parë, ata mbanin të njëjtën dhomë. Bolt thotë se ata të dy do të jenë rivalë, miq e shokë skuadre. Madje ai shton se ky shpirt gare dhe kjo konkurrencë janë një nxitje shumë e mirë për të, por edhe për kundërshtarin.