Prej më shumë se 24 orësh, sportdashësit në mbarë botën po përballen me lajmin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të sulmuesit të Liverpool-it, Diogo Jota, i cili humbi jetën në një aksident të rëndë rrugor në Spanjë, së bashku me vëllain e tij, André Silva, 26 vjeç.
Aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit të së enjtes, ndërsa dy vëllezërit po udhëtonin drejt Santander-it, 350 km larg pikës ku ndodhi përplasja fatale. Aty do të merrnin tragetin për në Portsmouth të Anglisë, për të vazhduar më pas drejt Liverpool-it. Jota kishte planifikuar të mbërrinte disa ditë përpara fillimit të përgatitjeve me skuadrën, më 8 korrik, për t’u sistemuar dhe rifutur në ritmin e stërvitjes.
Futbollisti la pas gruan e tij, Rute Cardoso, me të cilën ishte martuar vetëm 12 ditë më parë, si dhe tre fëmijët e tyre, përfshirë një foshnjë. Çifti ishte bashkë që prej kohës së shkollës dhe ishin një ndër çiftet më të dashura në skenën publike portugeze.
Detaje tronditëse kanë dalë nga vendi i ngjarjes. Pas aksidentit, makina luksoze ku ndodheshin dy vëllezërit një Lamborghini Huracán u përfshi nga flakët, duke bërë që trupat të digjeshin dhe të mos mund të identifikoheshin menjëherë. Ishin prindërit dhe gruaja e Diogos ata që udhëtuan drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore në Zamora për të kryer identifikimin përmes objekteve personale. Rute ndihmoi autoritetet duke konfirmuar numrin e targës së makinës.
Përse makina humbi kontrollin dhe u shndërrua në një grumbull metalesh, mbetet ende nën hetim. Dyshimet paraprake lidhen me shpërthimin e gomës së pasme gjatë një manovre parakalimi, në një rrugë të njohur për gjendjen e keqe të asfaltit.
Tragjedia e Diogo Jotës ka lënë një boshllëk të madh jo vetëm në familjen dhe ekipin e tij, por në zemrat e miliona tifozëve në mbarë botën. Ai do të kujtohet gjithmonë si një lojtar i jashtëzakonshëm dhe një njeri me vlera të mëdha.
