Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka reaguar pas lajmit të rëndë për ndarjen nga jeta të futbollistit Fatjon Bunjaku, i cili humbi jetën tragjikisht në moshën 22-vjeçare si pasojë e një aksidenti rrugor.

Përmes një mesazhi ngushëllimi, kreu i FSHF-së e cilësoi vdekjen e mesfushorit si një humbje të madhe për futbollin shqiptar dhe për të gjithë ata që e njohën.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Fatjon Bunjakut. Kjo është një tragjedi e rëndë dhe një humbje e madhe, pasi bëhet fjalë për një djalë të ri, vetëm 22 vjeç, me një të ardhme të tërë përpara”, shprehet Duka.

Ai vlerësoi talentin dhe përkushtimin e futbollistit dardan, duke theksuar se Bunjaku do të kujtohet për pasionin ndaj futbollit dhe respektin që kishte fituar në komunitetin sportiv.

“Fatjoni do të kujtohet për talentin, përkushtimin dhe pasionin e tij për futbollin, si dhe për respektin që gëzonte tek të gjithë ata që e njohën”, vijon mesazhi.

Në fund, presidenti i FSHF-së u shprehu ngushëllimet familjarëve, miqve, bashkëlojtarëve dhe klubit të Elbasanit për humbjen e rëndë.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjes Bunjaku, të afërmve, miqve, bashkëlojtarëve dhe klubit të Elbasanit. U prehtë në paqe shpirti i tij dhe qoftë i përjetshëm kujtimi për të”, përfundon reagimi i Armand Dukës.