Bota e wrestling-ut është tronditur nga vdekja e Benjamin Satterley, sportistit britanik të njohur nga publiku me emrat “Pac” dhe “Adrian Neville”. Ai është ndarë nga jeta në moshën 40-vjeçare, ndërsa shkaku i vdekjes nuk është bërë ende publik.
Lajmi është konfirmuar nga përfaqësuesit e mundësit, ndërsa All Elite Wrestling, organizata ku Satterley garonte prej vitit 2019, ka reaguar duke shprehur tronditjen për humbjen e tij.
Vdekja e 40-vjeçarit vjen vetëm një ditë pas pjesëmarrjes së tij në eventin “All Out” të AEW-së në Çikago, ku kishte performuar të shtunën në mbrëmje.
I lindur në Newcastle upon Tyne, Satterley kishte më shumë se dy dekada karrierë në wrestling. Ai debutoi në vitin 2004 dhe me kalimin e viteve u bë pjesë e disa prej organizatave më të njohura ndërkombëtare.
Përpara se t’i bashkohej AEW-së, britaniku kishte garuar në WWE, ku njihej si Adrian Neville, si dhe në New Japan Pro-Wrestling dhe Consejo Mundial de Lucha Libre në Meksikë.
Satterley u bë veçanërisht i njohur për stilin e tij tepër atletik dhe lëvizjet akrobatike nga lartësia. Pikërisht aftësitë e tij në ajër i dhanë edhe nofkën “The Man that Gravity Forgot”.
Gjatë viteve në AEW ai fitoi disa tituj dhe ishte protagonist në një numër përballjesh që organizata i konsideron ndër më të spikaturat e historisë së saj.
Lajmi për vdekjen e tij ka sjellë reagime të shumta nga emra të njohur të wrestling-ut. Paul Heyman e përshkroi ndarjen e tij nga jeta si një humbje të rëndë, duke vlerësuar si talentin e Satterley-t në ring, ashtu edhe karakterin e tij jashtë tij.
Edhe presidenti i AEW-së, Tony Khan, reagoi për vdekjen e 40-vjeçarit, duke vlerësuar aftësitë, atletizmin dhe njohuritë e tij për wrestling-un, si dhe marrëdhëniet që kishte krijuar me njerëzit pranë tij.
