Sulmuesi i Kosovës Vedat Muriqi është shumë pranë rikthimit te Fenerbahçe, me mediat sportive që raportojnë se marrëveshja mes palëve pritet të mbyllet së shpejti.
Zhvillimi vjen pas zgjedhjeve në klubin turk, ku Aziz Yildirim ka siguruar fitoren, duke hapur rrugën për lëvizjet e para në merkato. Mes prioriteteve të drejtuesve të rinj duket se është edhe rikthimi i Muriqit, i cili ka lënë kujtime të mira gjatë aventurës së tij të mëparshme me fanellën verdheblu.
Sulmuesi dardan mbetet një nga emrat më të vlerësuar nga tifozët e Fenerbahçes, falë paraqitjeve dhe golave të shënuar para transferimit të tij në kampionate të tjera evropiane.
Ndërkohë, ndryshimet në drejtimin e klubit kanë sjellë edhe rishikimin e planeve të merkatos. Disa emra të mëdhenj që ishin përfolur gjatë fushatës zgjedhore nuk pritet të transferohen më, ndërsa fokusi duket se është zhvendosur te objektiva më realistë, me Vedat Muriqin që konsiderohet një nga afrimet më të mundshme të verës.
Zyrtarizimi i marrëveshjes mes Fenerbahçes dhe Muriqit pritet të ndodhë në ditët në vijim, nëse palët finalizojnë detajet e fundit të kontratës.
Top Channel
