Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) po finalizon një marrëveshje për financimin e ngrirjes së vezëve për futbollistet që dëshirojnë të shtyjnë mëmësinë për shkak të karrierës sportive. Masa, e paprecedentë në futbollin spanjoll, pritet të prezantohet zyrtarisht deri në fund të këtij muaji.

Lajmi është bërë i ditur fillimisht nga ylli i Barcelonës dhe kapitenia e kombëtares spanjolle, Alexia Putellas, në një intervistë për “El País Semanal”. Sipas saj, iniciativa përfaqëson një hap të rëndësishëm për futbollistet, të cilat shpesh përballen me dilemën mes vazhdimit të karrierës dhe dëshirës për t’u bërë nëna.

“Për mua është një hap i madh përpara, sepse federata kupton se po i shërben vendit tënd duke shkuar kundër kohës tënde biologjike. Nuk mund të ndalosh dhe nuk mund të bëhesh nënë, sepse ke nevojë për trupin tënd për të punuar”, u shpreh Putellas.

Në kuadër të marrëveshjes, RFEF pritet të bashkëpunojë me një klinikë të specializuar për fertilitetin për të mbuluar kostot që lidhen me procesin e ngrirjes së vezëve për të gjitha futbollistet që dëshirojnë ta shtyjnë mëmësinë. Federata thekson se qëllimi i kësaj mase nuk është t’i nxisë futbollistet të vonojnë vendimin për t’u bërë nëna, por t’u ofrojë atyre një alternativë dhe mbështetje nëse zgjedhin ta shtyjnë mëmësinë për arsye profesionale.

Nisma do t’i bashkohet planit për balancimin e jetës profesionale dhe asaj private, të prezantuar përpara Kupës së Botës 2023. Ky plan parashikon edhe mbështetje financiare për familjet, duke mbuluar shpenzimet e udhëtimit dhe duke mundësuar që futbollistet të kalojnë kohë cilësore me fëmijët e tyre gjatë grumbullimeve dhe kampeve stërvitore.

Me këtë hap, Federata Spanjolle e Futbollit synon të krijojë kushte më të favorshme për futbollistet profesioniste dhe të shmangë situatat ku ato detyrohen të zgjedhin mes karrierës në futboll dhe dëshirës për të krijuar familje.