Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur të luhet një ndeshje finale shtesë për të përcaktuar se cila skuadër do të zëvendësojë Bylisin B në Kategorinë e Parë. Finalja e re do të zhvillohet mes Kukësit dhe Butrintit, ndërsa axhenda e takimit do të përcaktohet së shpejti.

Kukësi ka mirëpritur këtë vendim, por Butrinti e ka kundërshtuar me forcë. Klubi i Sarandës paralajmëron se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe sportive, përfshirë edhe mundësinë e apelimit në Court of Arbitration for Sport (CAS), nëse vendimi nuk ndryshohet. Në një postim të fshirë më pas, Butrinti theksoi se ndeshja shtesë është e padrejtë dhe ka pasoja serioze sportive, organizative dhe financiare për klubin.

“Klubi i Futbollit KF Butrinti shpreh kundërshtimin e plotë ndaj vendimit të Komitetit Ekzekutiv të Federata Shqiptare e Futbollit për zhvillimin e një ndeshjeje play-off mes KF Kukësi dhe KF Butrinti për përcaktimin e skuadrës që do të marrë pjesë në Kategorinë e Parë për sezonin 2026/27.

Ky vendim vjen në një moment kur kampionati ka përfunduar prej kohësh dhe ka sjellë pasoja serioze sportive, organizative dhe financiare për klubin tonë. Shumë lojtarë janë larguar, ekipi ka dalë jashtë ritmit garues dhe janë shtuar ndjeshëm shpenzimet e paplanifikuara për organizimin e një ndeshjeje të tillë.

KF Butrinti vlerëson se ky vendim është i padrejtë dhe në kundërshtim me parimet e barazisë sportive dhe sigurisë juridike të garës. Për këtë arsye, klubi do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe sportive për mbrojtjen e të drejtave të tij, duke nisur me apelimin e vendimit pranë organeve kompetente të FSHF-së dhe më pas, nëse do të jetë e nevojshme, çështja do të dërgohet edhe në Court of Arbitration for Sport.

Klubi ynë mbetet i vendosur në mbrojtje të dinjitetit, mundit dhe sakrificës së bërë gjatë gjithë sezonit sportiv”-, thuhet nëreagim.