Juventusi mposhti me rezultatin 3 me 0 Napolin, në supersfidën e javës në Serinë A.
Mes lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Spaletti për ndeshjen kundër skuadrës së Kontes, ishte dhe një risi nga skuadra Primavera e drejtuar nga Simone Padoin. Bëhet fjalë për talentin shqiptar, Raffaele Huli. I lindur në vitin 2008, portieri i ri është thirrur për herë të parë nga trajneri toskan dhe u ul në stol në vend të Carlo Pinsoglio, i cili pak ditë më parë festoi lindjen e djalit të tij të dytë, Noah dhe sot mungoi për shkak të gripit.
Vetëm 17-vjeç, Huli ka qenë protagonist si në kampionat ashtu edhe në Youth League, duke zhvilluar disa paraqitje të rëndësishme; e fundit pikërisht në kampionat, në Derbin e Italisë kundër Interit. Deri më tani, portieri shqiptar ka luajtur gjithsej 21 ndeshje, duke e mbajtur portën të paprekur në gjashtë raste.
E ardhmja e tij pritet të jetë e ndritur. Talenti shqiptar gjithashtu numëron 4 ndeshje me Kombëtaren U19 të Shqipërisë si dhe 10 me Kombëtaren U17.



