Armando Broja është përfshirë në një moment tensioni pas përfundimit të ndeshjes së sotme të Burnleyt, kur sulmuesi shqiptar u përplas verbalisht me një tifoz të skuadrës së tij. Burnley humbi 2-1 në shtëpi ndaj Bristol City dhe pas vërshëllimave të tifozëve, situata u tensionua jashtë fushës. Broja, i cili ishte aktivizuar në pjesën e dytë, iu drejtua një prej mbështetësve që po e kritikonte, duke reaguar i irrituar ndaj komenteve të tij.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, sulmuesi i Kombëtares shqiptare shihet duke debatuar me tifozin, ndërsa në një moment dëgjohet të thotë: “Kam qenë jashtë për një vit, nuk kam luajtur për një vit.”
Situata nuk shkoi më tej, pasi Broja u largua nga vendi i ngjarjes i shoqëruar nga një pjesëtar i sigurisë. Reagimi i sulmuesit vjen në një periudhë kur Burnley po përballet me kritika nga tifozët për rezultatet dhe lëvizjet e klubit në merkato. Humbja ndaj Bristol City ishte një tjetër zhgënjim për skuadrën, ndërsa Broja nuk arriti të ndryshonte fatin e takimit pas aktivizimit të tij./ Top Channel
