Një incident i rëndë është regjistruar në Maqedonia e Veriut, ku tensionet politike duket se janë reflektuar edhe në sport. Gjatë ndeshjes së kampionatit mes FK Vardar dhe FK Tikves (7-0), janë dëgjuar thirrje raciste kundër shqiptarëve.
Sipas raportimeve, tifogrupi ultras i Vardarit, i njohur si Komiti, ka brohoritur në kor slogane fyese dhe urrejtjeje. Pamjet e incidentit u publikuan fillimisht në një faqe online, por u hoqën pak minuta më pas.
Ngjarja vjen në një moment të ndjeshëm, pas protestave të studentëve shqiptarë në vend, të cilët kërkojnë të drejtën për të zhvilluar provimet në gjuhën shqipe.
Lidhur me këtë rast, autoritetet kanë reaguar menjëherë. Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se bëhet fjalë për veprën penale “dhunë dhe sjellje e pahijshme në ndeshje sportive”. Sipas legjislacionit në fuqi, për raste të tilla parashikohen gjoba nga 600 deri në 1000 euro për individët, si dhe nga 1500 deri në 5000 euro për klubin, nëse nuk ndërmerren masa për të parandaluar sjellje të tilla.
