Kristjan Asllani ka përjetuar këtë të shtunë një nga momentet më të vështira të karrierës së tij futbollistike.

Nga një anë ishte gëzimi i mesfushorit shqiptar që luajti në një finale të Ligës së Kampioneve, por në tjetrën, ishte zhgënjimi i humbjes historike 5-0 përballë PSG-së. Dy ditë pas asaj finaleje, Asllani ka mbërritur në grumbullimin e Kombëtares shqiptare për të nisur punën me kuqezinjtë sot pasdite për ndeshjet e kualifikuesve të Botërorit 2026.

Futbollisti ka qenë ndër të fundit që ka dalë në fushën stërvitore dhe aty e nisi duke takuar fillimisht me radhë të gjithë shokët e skuadrës, të cilët e përshëndetën përzemërsisht, por edhe duke mos shmangur batutat si në rastin e Ismajlit.

I fundit ishte trajneri Silvinjo, me të cilin mesfushori shkoi të takohej duke shkëmbyer disa fjalë para se t’i bashkohej përsëri grupit të lojtarëve për ushtrimet.