Fitorja e kësaj të shtune ndaj Newcastle (1-0) e Manchester Cityt u shënua nga një moment tensioni mes trajnerit Pep Guardiola dhe një tifozi, që ndodhej në tribunën e “Etihad”.

Gjithçka ka ndodhur rreth 10 minuta nga fishkëllima e fundit, në një kohë kur vendasit po kalonin një fazë më pak të mirë të lojës. 

Guardiola ende nuk e kishte ndryshuar ekipin, diçka që përfundoi duke mos e bërë gjatë gjithë ndeshjes dhe dëgjoi një tifoz që bërtiste nga vendi i tij: “Bëni një zëvendësim!”

I pakënaqur me atë që vetëm bërtiste, trajneri spanjoll iu kthye dhe iu përgjigj, gjë të cilën ai vetë këmbënguli ta shpjegonte pas ndeshjes, në konferencën për shtyp: “Më tha të bëja një zëvendësim. Kështu që unë iu përgjigja: ‘Hajde, ulu këtu në vendin tim dhe bëje vetë!”.

Duhet theksuar se Julián Álvarez shënoi golin e vetëm të ndeshjes pas 31 minutash.