Kryeqyteti shqiptar ka përjetuar tensione në orët e vona të së enjtes, menjëherë pas barazimit 1-1 mes Dinamos dhe Jagiellonias, ndeshje e vlefshme për play-off-in e Conference League.

Tifozët polakë, të mbërritur në Tiranë në një numër të madh, nisën provokimet që pasditen e së mërkurës. Pamje të publikuara në rrjet treguan disa prej tyre duke bërë gjeste fyese pranë bustit të heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në sheshin qendror të qytetit.

Pas përfundimit të takimit, një grup tifozësh shqiptarë duket se reagoi ndaj provokimeve. Në disa video të shpërndara online, ata shihen duke u përleshur me një nga tifozët polakë që kishte vazhduar me gjeste provokuese.

Policia ndërhyri shpejt për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Pavarësisht se tifozët e Jagiellonias u shoqëruan me autobusë drejt stadiumit dhe më pas në drejtim të aeroportit “Nënë Tereza”, incidentet nuk munguan. Shqiptarë të mbledhur në rrugë sulmuan me flakadanë kolonën e autobusëve, duke reaguar ndaj thirrjeve fyese të tifozëve polakë, mes tyre edhe slogani i përsëritur shpesh në stadiume “Kosova është Serbi”.

Momentet më të rënda u konsideruan ato të përdhosjes së figurës së Skënderbeut, gjë që ndezi indinjatën e publikut. Në fund, Dinamo u eliminua nga gara evropiane, ndërsa nata u mbyll me tensione të forta në Tiranë.