Jehona e kualifikimit të Kombëtares shqiptare në fazën e playoffit të Botërorit 2026 vazhdon të kumbojë. Ai që është më i lumtur për këtë arritje është pikërisht trajneri Sylvinho që pas fitores me Andorrën hoqi një barrë shumë të rëndë, fashiti presionin e madh që ishte mbi të dhe skuadrën e tij.

Pas intervistave të shumta, trajneri brazilian nuk ngurroi t’iu drejtohet rrjeteve sociale duke postuar një video të festës së tij me futbollistët në dhomat e zhveshjes të shoqëruar me një mesazh në gjuhën portugeze dhe shqipe.

“Ishte një shpërthim emocionesh të pastra dhe të sinqerta. Sigurimi i një vendi në fazën e play off-it të Botërorit 2026 ishte rezultat i punës së palodhur të shumë njerëzve. Futbollistëve, stafit të trajnerëve dhe drejtueseve…të gjithëve që punuan për të njëjtin qëllim. Një projekt që filloi pothuajse 3 vjet më parë dhe që vetëm është rritur me kalimin e kohës. Shumë i lumtur për këtë arritje historike. Forca Shqipëri”-, shkruante trajneri Sylvinho në postimin e tij./ Top Channel