Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë një ndeshjeje boksi në Meksikë, teksa një trajner 58-vjeçar ka ndërruar jetë.
Gjithçka ka ndodhur teksa boksierja Sabrina Perez po përballej me Skye Nicholson në Tijuana, ndërsa trajneri Diego Arua, njëkohësisht bashkëshorti i saj, ishte jashtë ringut, duke i dhënë udhëzime Perezit. Momenti i rëndë është kapur dhe nga kamerat, ku shihet se si 58-vjeçari pasi ka dhënë udhëzimet për sportisten, rrëzohet në toka pa ndjenja.
Mjekët nxituan menjëherë drejt tij dhe ai u dërgua në spital brenda pak minutash, por kjo nuk rezultoi e mjaftueshme për ta mbajtur atë në jetë.
Sipas raportimeve, 58-vjeçari pësoi një atak kardiak, që rezultoi fatal duke i marrë jetën në spital. Arua nuk kishte shfaqur më herët probleme me zemrën dhe mjekët ende nuk kanë thënë gjë në lidhje me arsyet që mund ta kenë shkaktuar atakun.