Mbrëmja e së dielës është shoqëruar me festë në Vlorë, ku tifozët e Norvegjisë kanë shpërthyer në festime pas triumfit historik të kombëtares së tyre ndaj Brazilit, rezultat që i siguroi ekipit skandinav një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës.

Të mbështjellë me flamujt kuq e blu dhe mes brohorimave të shumta, tifozët kanë sjellë edhe një herë në vëmendje festimin e tyre karakteristik, “Viking Row”. Në Sheshin e Flamurit ata kanë imituar lëvizjet e vikingëve, duke “lundruar” simbolikisht në një atmosferë elektrizuese.

Ky ritual festimi është kthyer tashmë në një nga imazhet më të spikatura të këtij Botërori, me tifozët norvegjezë që e kanë përsëritur në çdo qytet ku kanë ndjekur nga afër rrugëtimin e skuadrës së tyre.