Olimpizmi zgjedh kreun pa polemika. Objektivi i ri: Rivendosja e marrëdhënieve me shtetin


Ermal Kuka


Viron BezhaniViron Bezhani është zgjedhur presidenti i ri i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, në Asamblenë e 17 të Përgjithshme Zgjedhore të këtij institucioni. Në kundërshtim me ngjarjet e shëmtuara që kanë shoqëruar Asambletë e këtij institucioni në të kaluarën, këtë radhë zgjedhjet kanë kaluar në mënyrë shumë paqësore dhe me klimë mirëkuptimi, diçka e veçantë në fakt po të mendohet se gjatë viteve të fundit, KOKSH ka pranuar aderime të dyzuara për Federata të ndryshme sportive, që ka sjellë edhe konflikte të hapura. Caktimi i Bezhanit në postin më të lartë të KOKSH ka qenë edhe sinjali i parë i një ribashkimi me ministrinë që mbulon sportin në vendin tonë, pasi presidenti i ri bëri të qartë menjëherë se detyra e tij e parë ishte rikrijimi i marrëdhënieve mes KOKSH dhe shtetit, që në vitet e fundit kanë qenë thuajse joekzistuese.


Presidenti


Në zgjedhjet për president të KOKSH, ku në drejtim në vitet e fundit me udhëzim të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar ishte Ela Tase, kandidatët ishin tre, por para garës, gjatë fjalimit të prezantimit, u tërhoq Martin Biba, i cili njëkohësisht akuzoi KE-në se kishte shkelur statusin. Kështu, rivalë në këtë garë mbeten dy kandidatët që në mandatin e kaluar kanë qenë pjesë e Komitetit Ekzekutiv të këtij institucioni, Genc Boga (kryetar i Komisionit Juridik), si dhe Viron Bezhani (kryetar i Komisionit Teknik). Zgjedhja e olimpizmit shqiptar ra mbi këtë të fundit, me një fitore të thellë, 48 vota ndaj 21 të kandidatit rival. Por pas zgjedhjes së tij, Bezhani bëri të qartë menjëherë se do të kërkonte bashkëpunimin e të gjithë atyre që dëshironin të kontribuonin për rritjen e nivelit të sportit shqiptar. “Kjo është fitorja e të gjithëve, e të gjithë Komitetit Olimpik. Detyra jonë kryesore është që të bashkohemi të gjithë bashkë, për të ecur përpara, që të marrim maksimumin nga sporti”, ishin fjalët e ish-presidentit të Federatës Shqiptare të Mundjes dhe shefit të delegacionit shqiptar në Londër 2012. “Duhet të bëjmë të mundur që të funksionojë sa më mirë trekëndëshi Federatë-KOKSH-Ministri”, ishte premtimi i tij për këtë mandat. Duhet kujtuar se ndonëse me një statut të miratuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, KOKSH nuk është mandatuar nga ministri përkatës për Sportin në mandatin e fundit, ndërsa nuk figuron as i regjistruar në gjykatë. Zgjidhja e këtij ngërçi në marrëdhëniet me shtetin do të jetë edhe detyra e parë e Bezhanit. Ndërkohë, pas një gare shumë të ngushtë, zëvendëspresident i KOKSH u zgjodh Gjergj Ruli, i cili fitoi në garën përballë Vojo Malo.


Komiteti Ekzekutiv


Nëse Flobens Dilaveri u zgjodh pa rivalitet si kandidaturë e vetme për postin e Mbajtësit të Thesarit, një garë mjaft e ndezur ishte ajo për postet e 8 anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv nga 18 kandidatura të paraqitura. Në fund, janë rikonfirmuar në detyrë Ela Tase (e cila ishte pjesë e KE-së para se të merrte postin e presidentes pas largimit të Agim Fagut), Gëzim Panariti, Majlinda Pilinci dhe Skënder Anxhaku, ndërsa emrat e rinj në KE janë Agron Cuka, Erald Dervishi, Gjergj Leqejza dhe Ilir Gusho. Duhet theksuar se në Asamble nuk morën pjesë Federata Shqiptare e Futbollit, Federata e Alpinizmit dhe Federata e Dansit Sportiv. Ndërkohë, u zyrtarizua edhe anëtari i ri i KOKSH, Federata e Rafting, një sport i ri që po fiton mjaft popullaritet në vendin tonë.


 


 


Kandidatët për president


Viron Bezhani   48 vota


Genc Boga  21


Martin Biba u tërhoq


Vota të pavlefshme   2


 


Kandidatët për Zv./President


Gjergj Ruli     37 vota


Vojo Malo  34


 


Kandidat për Mbajtës të Thesarit


Flobens Dilaveri     57 vota


Vota të pavlefshme   14


 


Kandidatët për Komitetin Ekzekutiv


Ela Tase   59 vota


Agron Cuka 41


Gjergj Leqejza  37


Ilir Gusho 35


Gëzim Panariti  33


Erald Dervishi  32


Skënder Anxhaku 31


Majlinda Pilinci     30



Labo Çapo  29


Erzen Breçani   28


Stefan Rrufa    26


Elez Gjoza 25


Vladimir Gjonaj 23


Agim Çiraku     22


Hyrmete Gjetaj  20


Alketa Çaushi   17


Linda Spaho     5


Genti Malko     3