Vllaznia mori një fitore të rëndësishme për ambiciet e saj për të fituar titullin që i mungon prej 25 vitesh. Skuadra e drejtuar nga Edi Martinin arriti t’i imponohet skuadrës më në formë të momentit në Kategorinë Superiore, Partizanin duke e mundur në ‘Arenën e Demave’ me rezultatin 2-0 dhe ruan ende kreun e klasifikimit.
Në këtë ndeshje, Partizani mbeti shumë shpejt pa trajnerin e tij, Kërnaja që në minutën e 17 u ndëshkua me karton të kuq, megjithatë Të Kuqtë ishin ata që iu afruan golit të avantazhit në pjesën e parë, me Sidibe dhe Human. Nga ana tjetër edhe Vllaznia pati mundësitë e saj, por skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes me barazimin 0-0.
Pjesa e dytë nisi me një gol të Partizanit që shënoi me Isgandarlin, një gol që u anulua për pozicion jashtë loje. Pak çaste më vonë, po këtij futbollisti iu anulua një tjetër gol, ndërsa në fazat e fundit të ndeshjes ishte radha e Dodajt të bëhej protagonist për Vllazninë. Në minutën e 82, futbollisti i kuqebluve i dha avantazhin Vllaznisë, ndërsa 10 minuta më vonë vulosi përfundimisht fitoren 2-0 për skuadrën shkodrane që shkon në 56 pikë duke ruajtur kreun e klasifikimit, ndërsa Partizani mbetet me 44 pikë në vendin e katërt.
