Pas disa ditëve përgatitje në Ulqin, Vllaznia është rikthyer në Shkodër, për të vijuar me seancat stërvitore në mënyrë që të jetë gati për rifillimin e kampionatit. Së fundmi në “Reshit Rusi”, kuqebluve u janë bashkuar në stërvitje dy lojtarë shumë të rëndësishëm sic janë mesfushori Florind Bardulla dhe mbrojtësi Dimtar Bicaj të cilët kishin qëndruar për disa pushim për shkak të gjëndjes gripale. Trajneri Armando Cungu në një prononcim për mediat lokale në Shkodër u shfaq gjithsesi i pakënaqur me mënyrën sesi shkoi minifaza përgatitore e dimrit në Ulqinj të Malit të Zi.
“Përsa i përket mënyrës se si shkuan gjërat nuk jam i kënaqur, s’jam i kënaqur sepse në Ulqin gjetëm një situatë jo fort të mirë. Ishte shumë ftohtë, kishte erëra të forta dhe në 3 apo 4 ditët e para të përgatitjeve e vuajtëm shumë dicka të tillë, pasi moti i keq nuk na dha mundësi fare për t’u stërvitur”.
Në fillim të Janarit te kuqeblutë u rikthye Arsen Hajdari, ndërsa prej disa ditësh te Vllaznia, është afruar në provë edhe mbrojtësi i krahut të majtë belgu Landri Mulemo. Cungu është i pakënqur me drejtuesit e klubit shkodran përsa i përket lëvizjeve në merkato, duke theksuar se pjesa e dytë e sezonit do të jetë shumë më e vështirë për kuqeblutë.
“Kohë nuk kemi fare sepse kampionati rifillon pas disa ditësh. E kam thënë edhe më përpara që këto dy faza do të jenë shumë më të vështira se dy fazat e para për shumë arsye që tashmë dihen dhe nuk ka nevojë që t’i përsëris, pasi të gjithë e marrin me mend se si funksionon kështu që në këto kushte, të them të drejtën kam pritur që edhe ekipi të përforcohet, por kjo nuk është bërë e mundur. Kam pritur nga klubi që më të afrojnë lojtarë, por realisht ka ardhur vetëm një futbollist me ngjyrë nga Belgjika që është mbrojtës i majtë, dhe asnjë lojtar tjetër, ndërkohë që kundërshtarët tanë janë forcuar ndjeshëm, pasi edhe ekipi më i dobët është përforcuar me 3 apo 4 lojtarë dhe në këto kushte kjo nuk është një situatë e mirë për ne”.
Në 2 fazat e para të kampionatit, Vllaznia ka grumbulluar 21 pikë, 7 më shumë se Laci që për momentin mban vendin e parfundit, por gjithsesi
pavarësisht situatës së vështirë, Cungu ka besim se Vllaznia nuk do ta diskutojë mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar.
“Megjithatë unë kam besuar te këta djem, vazhdoj të besoj. Nëse do të tregohemi seriozë si në pjesën më të madhe të dy fazave të para të kampionatit, nuk do e vendosim në diskutim mbijetesën, kjo është e vetmja gjë që mund të them për momentin”.
Të Shtunën në Lezhë përballë Besëlidhjes, skuadra shkodrane do të zhvillojë testin e fundit përgatitor përpara sfidës ndaj Kukësit që do të luhet fundjavën tjetër, në “Loro Borici”.
20 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)