Shkodranët mbajnë gjallë shpresat për Europën, durrsakët humbasin vendin e dytë


Altin Manallari


Moment nga ndeshja Vllaznia Teuta 2-0Dy penallti vendosin fatin e Teutës në Shkodër, ku durrsakët munden 2-0 dhe gjithçka shkon në favor të Kukësit, që është i përfituari i madh i javës së 22-të të Kategorisë Superiore për sa i përket luftës për vendin e dytë në klasifikim, i cili garanton një vend të sigurt në Europa League.


Vllaznia-Teuta ishte ndeshja e fundit e javës së 22, por që kishte jo pak interes. Në këtë përballje, të dyja skuadrat vinin me objektiva jo të vogla. Shkodranët kërkonin një fitore, e cila do të mund të mbante gjallë të paktën shpresat për të mbajtur ende hapur luftën për një vend në Europa League. Ndërsa durrsakët synonin të merrnin vendin e dytë në klasifikim, të cilin e kishin humbur pas fitores 2-1 të Kukësit kundër Tiranës. Ky vend i dytë do t’i mbante “djemtë e detit” më të favorizuar për ta ruajtur deri në fund të këtij sezoni, kur kanë mbetur edhe vetëm katër ndeshje për t’u luajtur. Gjithsesi, në këtë sfidë më të favorizuar ishin shkodranët, të cilët luanin përpara publikut të tyre, një faktor që duhej shfrytëzuar. Që nga minutat e para të ndeshjes, djemtë e trajnerit Artan Bushati kanë demonstruar se kanë ambicie të qarta për ta fituar këtë sfidë. Vazhdimisht e kanë vënë në vështirësi Teutën me qarkullimin e madh të topit dhe aksionet e shumta në drejtim të portës kundërshtare. Miqve u është dashur më shumë të jenë të impenjuar në manovrat mbrojtëse dhe kanë pasur pak hapësirë për të menduar për lojën e tyre sulmuese. Epërsia e shkodranëve është konkretizuar vetëm në minutat e fundit të pjesës së parë, ku kuqeblutë kanë fituar një 11-metërsh, për shkak të një ndërhyrjeje të parregullt në zonë në minutën e 40-të. Dhe veterani Dritan Smajli nuk ka gabuar, duke zhbllokuar rezultatin në 1-0 në favor të të tijve. Vetëm 4 minuta më vonë, gjyqtari Jemini nuk heziton të japë një tjetër penallti për Vllazninë, pasi portieri durrsak ndali në mënyrë të parregullt Rexhen brenda zonës. Smajli nuk gabon as këtë herë dhe Vllaznia shkon në pushim me 2 gola avantazh. Në pjesën e dytë janë durrsakët ata që këmbëngulin në kërkim të golit, ndërsa shkodranët shfrytëzojnë kundërsulmet, duke rrezikuar edhe shënimin e golit të tretë. Ndërkohë që Teuta sulmon pafund, por deri në minutën e fundit rastet e mira për shënim janë të pakta dhe koha nuk premton më. Me humbjen 2-0 në Shkodër, “djemtë e detit” detyrohen t’ia lënë përkohësisht vendin e dytë Kukësit, por t’i japin njëkohësisht shkas edhe nisjes së festës së titullit kampion në Korçë. Me 12 pikë përpara ndjekësve më të afërt, kuqebardhët e Mirel Josës janë të pakapshëm nga askush në katër javët e mbetura të kampionatit, nëse thirr në ndihmë për klasifikimin përfundimtar golavarazhin dhe ndeshjet direkte. Tani Skënderbeut i mjafton vetëm një pikë, për të mbyllur të gjitha llogaritë, të cilat do t’u dorëzonin titullin e tretë radhazi dhe të katërtin në historinë e tyre dhe duke i konfirmuar si një superfuqi e futbollit të kampionatit shqiptar. Me titullin thuajse të mbaruar dhe me kristalizimin gjithnjë e më shumë të katër skuadrave që do të bien nga Superiorja (Apolonia e Tomori përfundimisht jashtë elitës dhe Shkumbini e Luftëtari që presin vetëm ekzekutimin matematik), e vetmja luftë ende e hapur në këto javë është ajo e skuadrave që do të shkojnë në Europë, ku janë tri skuadra shumë pranë njëra-tjetrës. Kukësi ka vetëm 1 pikë më tepër se Flamurtari dhe Teuta, ndërsa kanë mbetur në lojë edhe 12 pikë deri në fund të kampionatit.


Superiore (Java XXII)


 


TË PREMTEN


Luftëtari-Laçi  0-3


Vucaj 49′, 85′ (11-m), Zefi 90′


Bylis-Tomori    4-1


Arbri 21′, Bakiu 42′, 45′, Prifti 77′ / Mitraj 53′


 


TË SHTUNËN


Skënderbeu-Besa 2-0


Souza 35′, Fagu 68′


Kukësi-Tirana   2-1


Brahja 79′, Popoviç 89′ / Çota 87′


Kastrioti-Flamurtari 3-0


Hysa 38′, Karapici 50′, Shaba 64′


Apolonia-Shkumbini   1-1


Dushku 45′ / Sekseni 83′


 


DJE


Vllaznia-Teuta  2-0


Smajli 40′ (11-m), 44′ (11-m)


 


 


Klasifikimi


Skuadra    P    N


1. Skënderbeu   22   52


2. Kukësi  22   40


3. Flamurtari   22   39


4. Teuta   22   39


5. Vllaznia     22   35


6. Tirana  22   35


7. Laçi    22   34


8. Kastrioti    22   31


9. Bylis   22   29


10. Besa   22   27


11. Shkumbini   22   20


12. Luftëtari   22   18


13. Tomori 22   12


14. Apolonia    22   10