Flamurtari bën blerjen më të goditur, ndërsa Vllaznia e Kukësi u hapin sfidë pretendentëve
Tirana e Flamurtari kërkojnë efikasitet, por merkato vazhdon të jetë ende e hapur
Altin Manallari
Që të nisë sezoni 2012-2013 i kampionatit shqiptar të futbollit duhet ende kohë, por thuajse të gjitha skuadrat janë munduar t’u japin formë grupeve të futbollistëve, te të cilët do të mbështesin ambiciet në edicionin e ardhshëm.
Lëvizjet në merkato gjatë kësaj periudhe për sa u përket hyrjeve kanë qenë gjithsej 71. Ndërkohë që kampionët në fuqi të vendit janë treguar dorështrënguar. Duket se trajneri Stanislav Levi vazhdon t’u besojë kampionëve, që i dhanë titullin e dytë radhazi korçarëve. Ndërhyrjet e liderëve të Superiores janë vetëm dy: talenti Erion Vucaj dhe veterani Bekim Kuli. Me gjithë afrimet e pakta, duket se skuadra funksionon. Këtë e ka treguar testi zyrtar kundër Debreçenit në turin e dytë të Champions League. Në fushë u pa një skuadër që e di se çfarë duhet të bëjë, nëse pretendon të arrijë objektiva madhorë, krijoi shumë raste, por pasaktësia dhe fati i mohuan shënimin e dy apo më shumë golave. Gjithsesi, ekipi funksionon dhe drejtuesit ndihen të kënaqur. Megjithatë, për momentin, flitet edhe për afrimin e një sulmuesi race si Pero Pejiç, por për zyrtarizimin e kësaj lëvizjeje të tretë do të duhet të presim përfundimin e impenjimit të Skënderbeut në Champions League. Largimet janë po aq sa afrimet, dy. Nënkampioni i vendit, Flamurtari, i ka kushtuar jo pak vëmendje merkatos: Klodian Xhelilaj dhe Gledi Mici janë dy talente që mund të kontribuojnë te vlonjatët në sezonin e ardhshëm, por ambiciet e larta të Flamurtarit mbështeten tek afrimi i Brunild Pepës, Rafael Sozës dhe Migen Memellit. Argjentinasi është një rikthim premtues në Superiore, ndërsa Memelli konsiderohet si goditja më e madhe e momentit në transferimin e lojtarëve në kampionatin shqiptar. Eliminimi nga turi i parë i Europa League nga përballja me hungarezët e Honved ka lënë një shije të hidhur. Por kjo nuk mund të përkthehet ende për shkak të numrit të madh të largimeve (gjithsej 11), shumë prej të cilëve kanë qenë edhe pjesëtarë të 11-shes titullare të sezonit të fundit. Në këto javë merkatoje duket se skuadrat e Veriut shqiptar synojnë fuqizimin në prag të sezonit të ri. Vllaznia duket se është skuadra që ka blerë “emra me peshë”: Elvin Beqirin, Ilir Nallbanin, Ndriçim Shtubinën, Halim Begaj, Tefik Osmanin, Ivan Deliç, Kristian Dragoin. Këto lëvizje tregojnë qartë që Vllaznia e Shpëtim Duros dëshiron të luftojë për trofe, pas një edicioni zhgënjyes si ky i fundit. Bashkia është treguar dorëlëshuar me sa duket dhe pritet që shkodranët të jenë mes pretendentëve kryesorë për titull. Jo më pak pretendente është Tirana, e cila duket se është treguar përzgjedhësë në merkato. Nuk ka blerë emra të mëdhenj, por afrimet e saj lidhen më shumë me efikasitetin në fushë. Entoinio Pashaj, Elton Muçollari, Mirel Çota dhe Gentian Muça, u ofrojnë bardhebluve më shumë garanci për t’i rikthyer te titulli, por merkato mund të hapet sërish për bardheblutë pas impenjimit në turin e dytë të Europa League. Teuta bëri një sezon të pëlqyeshëm në edicionin e fundit, por tani ka humbur tre protagonistë të rëndësishëm: Mirel Çotën, Brunild Pepën dhe Tefik Osmanin. Blerjet nuk duken në nivelin e të larguarve, ndaj surpriza nuk duket se do jetë me ta edhe në këtë edicion. Laçi për momentin njeh vetëm largime, 8, ndërsa afrimet janë ende vetëm thashetheme. Shkumbini i reflekton problemet financiare pikërisht te numri zero i afrimeve zyrtare. Kastrioti ka lënë t’i largohen 9 futbollistë, ndërsa afrimet nuk premtojnë se mund të ruajnë ritmin e sezonit të fundit, ku ua ka vështirësuar shumë punën pretendentëve për titull. Bylisi tenton të mbajë nivelin e sezonit të fundit me 5 blerjet e reja, po aq sa edhe largimet nga grupi 2011-2012. Tomori është një skuadër që po riformatohet dhe askush nuk mund të flasë me siguri për këtë ekip. Apolonia ka larguar 4 futbollistë, ndërsa deri tani ka afruar vetëm Emiliano Çelaj dhe Ilirian Çaushaj. Shumë pak për të deshifruar nivelin e së ardhmes. Kampioni i Kategorisë së Parë në 2011-2012, Luftëtari, është prekur nga shumë largime (7), por edhe afrimet janë bërë me frymën për të shmangur luftën për të mos rënë nga kategoria. Bujë duket se po bën Kukësi, i cili, për herë të parë në histori, luan në Superiore. Thuajse ka ndryshuar plotësisht ekipin që e shpalli nënkampion të Kategorisë së Parë. Ndryshimet radikale në stafin drejtues dhe në grupin e lojtarëve (7 të larguar dhe 10 të afruar) janë bërë me frymën e ndërtimit të një ekipi që do të sfidojë pretendentët kryesorë në luftën për dy trofetë e vetëm që ofron elita e futbollit shqiptar. Investimet e mëdha të drejtuesve të klubit te talentet e afirmuar në vitet e fundit premtojnë një Kukës që nuk dëshiron të luajë për gjysmën e dytë të tabelës së klasifikimit. Por gjithçka mbetet për t’u parë. Ndërkohë që Besa është klubi që duket se ka riformatuar komplet skuadrën. Kavajasit, pas një sezoni në kategorinë inferiore, duket se kanë qenë të pakënaqur nga lojtarët e grupit dhe kanë bërë 13 blerje. Përveç Ervis Krajës, Florent Azirit, Fation Sefës e Parid Xhihanit, të tjerët janë nën vëzhgim, pasi askush nuk mund të flasë me siguri për potencialin e tyre. Megjithatë merkato nuk është mbyllur ende dhe deri në fund, ka kohë për të përcaktuar favoritë dhe të destinuar për të zbritur në Kategorinë e Parë në fundin e sezonit 2012-2013.
Rekordi i blerjeve
Besa është rekordmenia i merkatos deri tani: janë larguar 7 lojtarë, ndërkohë është blerë më shumë se sa një skuadër e re (13 përforcime, pesha e të cilëve mbetet për t’u verifikuar). Në ajër mbetet e ardhmja e Pero Pejiç, një sulmuesi race, që duket se është i destinuar për Skënderbeun
Përforcime në merkato
Skënderbeu (2) – Erjon Vucaj, Bekim Kuli
Flamurtari: (5) – Klodian Xhelilaj, Gledi Mici, Brunild Pepa, Rafael Soza, Migen Memelli
Vllaznia (7) – Elvin Beqiri, Ilir Nallbani, Ndriçim Shtubina, Halim Begaj, Tefik Osmani, Ivan Deliç, Kristian Dragoi
Tirana (4) – Entoinio Pashaj, Elton Muçollari, Mirel Çota, Gentian Muça
Teuta (4) – Eglant Haxho, Sulejman Hoxha, Albano Çaushaj, Isa Eminhazeri, Bledar Devolli?
Laçi (Zero) – Mishel Bilibashi? Florian Peqini? Oriand Abazaj?
Shkumbini (Zero) – Asnjë (për momentin)
Kastrioti (5) – Artan Karapici, Sokol Ishka, Erion Xhafa, Asion Daja, Orion Xhemalaj
Bylis (5) – Jetmir Sefa, Julian Gërxho, Klodian Arbri, Alfons Ymeraj, Denis Da Silva
Tomori (8) – Eni Naço, Shaqir Stafa, Ervin Rexha, Erlis Frashëri, Spartak Elmazi, Klevis Gjoni, Maringlen Kule, Erdet Shinko
Apolonia (2) – Emiliano Çelaj, Ilirian Çaushaj
Luftëtari (6) – Ylli Shameti, Fejzo Shenaj, Aleksandër Miliç, Ergys Sorra, Klajti Isaraj, Mihal Thano
Kukësi (10) – Rrahman Hallaçi, Roland Peqini, Gentian Manuka, Stevan Markoviç, Ylli Hoxha, Besar Musolli, Enco Malindi, Llazar Popoviç, Gerhard Progni, Julian Brahja
Besa (13) – Alban Hoxha, Antonio Marku, Ervis Kraja, Bruno Dita, Florent Aziri, Mateus Toçi, Argent Mustafa, Besmir Berisha, Idi Batha, Fation Sefa, Parid Xhihani, Mentor Zhdrella, Firos Tayrai