Mbrëmjen e djeshme, në stadiumin “Air Albania”, Kombëtarja Shqiptare zhvilloi sfidën e fundit para fazës së “Play-Off”-it, përballë gjigantëve të Anglisë. Një takim i shumëpritur, ku kuqezinjtë, për shkak të mungesave nga kartonët e verdhë, u detyruan të zbrisnin në fushë me një formacion të ndryshuar.
Megjithëse rezultati final shkoi në favor të anglezëve, loja e Shqipërisë ishte për t’u duartrokitur. Organizimi, ritmi dhe lufta për çdo top lanë përshtypje të forta, saqë vetë trajneri i Anglisë, por edhe kapiteni Harry Kane, autori i dy golave, nuk ngurruan t’i vlerësojnë kuqezinjtë për paraqitjen e tyre solide.
Ndërkohë, një moment i veçantë u bë viral në rrjetet sociale. Një foto tregon një tifoz të vogël shqiptar që “përshëndet” kapitenin Kane pas golave, një skenë që ka tërhequr vëmendjen e sportdashësve, duke treguar edhe një herë emocionet që sjell futbolli.
Kane, i cili zhbllokoi shifrat dhe arriti të çante mbrojtjen shqiptare dy herë, foli me respekt për kundërshtarin, duke theksuar se Shqipëria është një skuadër që meriton vlerësim.
Pavarësisht humbjes, kuqezinjtë dolën nga fusha me kokën lart. Skuadra tregoi karakter, konkurrencë dhe gatishmëri për të luftuar në fazën më të rëndësishme: Play-Off-in, aty ku synimi është i qartë, një tjetër kualifikim historik.

