Deklarata


Presidenti i FFK-së rrëfen detajet e takimit me Blaterin


Vetëm 24 orë pas takimit me presidentin e FIFA-s Sep Blater, numri një i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri ka mbajtur një konferencë shtypi në Prishtinë, ku ka sqaruar detajet e diskutimeve mes tyre. Sipas tij, FIFA nuk tërhiqet për vendimin e lejimit të ndeshjeve miqësore për kombëtaren e Kosovës, por tashmë kanë mbetur edhe disa modalitete, që do të duhet të diskutohen në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s në muajin shtator. “Takimi i së mërkurës në selinë e FIFA-s ishte shumë miqësor. Kreu i FIFA-s edhe njëherë na e ka konfirmuar se vendimi për lejimin e ndeshjeve zyrtare për Kosovën është definitiv dhe nuk do të ketë kthim prapa, por kanë mbetur të shikohen modalitetet se si do të zbatohet ky vendim, për të cilat do të diskutohet në mbledhjen e shtatorit të KE-së në FIFA, pasi mbledhja e radhës e këtij organi më 17 korrik do të jetë mjaft e ngjeshur, sepse në të do të diskutohet për përfshirjen e teknologjisë në futboll, që është një temë mjaft e ndjeshme. Ne në këtë takim kemi biseduar se si të zhvillohet më tej futbolli i Kosovës dhe si të gjejmë partnerë për të na ndihmuar në këtë fazë deri në anëtarësim rreth përgatitjes profesionale të kuadrove. Shpresojmë që në fund të shtatorit do të qartësohet çdo gjë dhe do të nisim përgatitjet për të gjetur edhe rivalë të mundshëm për miqësore”, tha kreu i futbollit kosovar, Fadil Vokrri.


 


 


Konferenca


Presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri në një konferencë për shtyp