Ekipi i volejbollit për meshkuj, Teuta, ka kërkuar shtyrjen e ndeshjes së radhës me Studentin deri në sqarimin e plotë të incidentit të ndodhur në ndeshjen paraardhëse me këtë ekip. Gjatë një konference për shtyp, drejtuesit e ekipit kanë deklaruar parregullsitë e gjykimit të njëanshëm të ndeshjes së “play-off” mes dy ekipeve dhe qëndrimin zyrtar të klubit pas vendimit të Komisionit të Disiplinës pranë FSHV-së. Trajneri i Teutës, maqedonasi Harri Nakovski, deklaroi se ekipi nuk do të zbresë në fushë deri në sqarimin e plotë të incidentit, ndërsa është vënë në dijeni edhe Federata Ndërkombëtare e Volejbollit, ndërsa kapiteni i Teutës, Jurgen Dashi, ka denoncuar edhe falsifikimin e firmës së tij në procesverbalin e ndeshjes. Pas ndeshjes, sipas rregullores, kapitenët e të dyja ekipeve firmosin procesverbalin e ndeshjes, por kapiteni durrsak, Dashi, nuk është lejuar nga policia të afrohet për të firmosur. Gjithashtu, ky procesverbal nuk i është dhënë klubit të Teutës, siç e thotë rregullorja, por i është dërguar të nesërmen, ku shihet qartë edhe firma e kapitenit të Teutës. Dashi thotë se mund t’i drejtohet dhe organeve ligjore për këtë falsifikim të firmës së tij.
Gjyqtarja Rudina Omari e ndeshjes Teuta-Studenti të luajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, më 3 prill, ka krijuar, sipas drejtuesve të Teutës, një precedent duke anuluar kartonin e kuq ndaj kapitenit të studentit Elton Tuksferi. Nxjerrja e kartonit të kuq ndaj një lojtari i jep fitoren automatikisht skuadrës kundërshtare. Për të shmangur këtë, gjyqtarja ka zëvendësuar kartonin e kuq me të verdhin dhe ndeshja është mbyllur me fitoren e ekipit Studenti. Edhe qëndrimi i Komisionit të Disiplinës deklarohet se dëmton rëndë fazën “play off”. Me gjithë insistimin e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, që kjo çështje të zgjidhet pa vendime drastike, klubi i Teutës e konsideron një gabim teknik dhe sipas rregullores kjo ndeshje duhet t’i jepet fitore në tavolinë Teutës. Për momentin kërkohet shtyrja e ndeshjes deri në sqarimin e gjithë situatës së komplikuar.