Erblira Bici po shkëlqen ne volejbollin e vajzave teksa prej kohësh po luan në kampionatin më të fortë në këtë disipline sic është ai italian dhe kjo falë paraqitjeve të shkëlqyera të bëra sidomos me kombëtaren shqiptare duke rënë në sy të ekspertëve italianë.

E lindur në Gramsh, Bici prej gati 10 vitesh është pjesë e kampionatit italian me skuadrën e Megabox Vallefoglia me të cilën ka arritur të fitojë edhe një Ligë Kampionesh. në një intervistë të fundit, Bici flet për objektivat e saj dhe rrugëtimin që ka përshkuar

“Objektivat e ekipit janë të arrijmë të bëjmë më mirë se vitin e kaluar, gjë që aktualisht jemi duke e bërë, pavarësisht nisjes pak më të ngadaltë. Vjet përfunduam në vendin e shtatë, ndërkohë sivjet jemi në vendin e gjashtë. Objektivi është “play off”-i dhe Kupa e Italisë, të cilën klubi e arriti për herë të parë vitin e kaluar”, tregon Erblira Bici në intervistën e saj.

“Vjet arritëm një kualifikim sërish historik në Kupën e Europës “Challenge Cup”, ku në fazën e parë eliminuam ekipin grek AEK të Athinës; në fazën tjetër ndeshemi me një ekip hungarez. Kemi një detyrë të vështirë për të konfirmuar një ekip italian fitues të kësaj kupe, pasi vitin e kaluar të gjitha kupat europiane u fituan nga klube italiane. Personalisht, nëse arrijmë të gjithë objektivat me ekipin, do të doja të vazhdoja të pozicionohesha sa më lart në listën e pikëshënueseve, renditja ku aktualisht jam në vendin e pestë’.

Erblira Bici nuk e fshehu krenarinë për faktin që është e vetmja volejbolliste shqiptare që ka fituar një kompeticion si Champions League

“Jam krenare për këtë gjë. Champions League është kompeticioni më i rëndësishëm për klube në Europë, por dua të bëhem edhe volejbollistja e parë shqiptare që fiton edhe Kupën “Challenge Cup”, meqenëse këtë vit kemi të gjitha mundësitë për ta bërë. Padyshim është një rrugëtim i gjatë”, vijon Bici.

Volejbollistja foli edhe për realitetin sportiv në Shqipëri duke pranuar se është shqetësues fakti që nuk ka prurje të reja  nga ekipet e moshave ndërkohe që nuk la pa përmendur as Ligjin e Sponsorizimit të Sportit.

“Kampionatin shqiptar e ndjek shumë pak, në kuptimin që shikoj ndonjë ndeshje vetëm kur ndodh të jetë “online”. Informohem për rezultatet dhe kam shumë shokë e shoqe që luajnë në Shqipëri, të cilët më tregojnë më shumë. Sporti në Shqipëri, si në shumë vende të tjera edhe më të zhvilluara se Shqipëria, mbetet amator, në kuptimin që shumica e lojtarëve e bëjnë si punë të dytë, por fatkeqësisht kjo reflektohet edhe në nivel. Lojtaret e huaja ndihmojnë pak në rritjen e nivelit, por lajmi shqetësues është mungesa e prurjeve të reja nga moshat”, tha Bici, e cila shtoi: “Edhe ato pak elemente të rinj që janë, për arsye të ndryshme, por kryesisht financiare, detyrohen të largohen nga bota e sportit, pasi të gjithë e dimë që jeta në Shqipëri është shtrenjtuar shumë. Në përgjithësi, si hap i parë nuk mund të kërkohet cilësi, pavarësisht se jemi një vend me traditë në sportet me dorë. Fillimisht duhet masivizim dhe mbështetje financiare nga privati. Në Europë nuk ekziston asnjë model i sponsorizuar nga shteti, kryesisht klubet kanë sponsorë privatë dhe këtu kthehemi sërish te Ligji i Sponsorizimit të Sportit”.

Në fund Erblira Bici folit edhe për Kombëtaren e Volejbollit që do të nisë sërish grumbullimet pas shumë vitesh dhe ndikimin që ajo pati në karrierën e saj

“Kam folur me presidentin e Federatës, z. Erli Pëllumbi, dhe është diçka shumë pozitive. Dua ta kujtoj që pa Kombëtaren, ndoshta edhe historia ime do të kishte qenë ndryshe, kështu që jam vetëm pozitive për këtë hap. Vajzat e reja duhet ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë mundësi. Është një projekt i mirë me trajner të huaj. Unë do të jem patjetër një suport për ekipin. Nëse do të jem apo jo në fushë, do të vendoset më vonë dhe në bashkëpunim me Federatën”, përfundoi Erblira Bici. /Top Channel/