Gjykata e Salernos ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Ridha Rahmounin, 26-vjeçarin tunizian të akuzuar për vrasjen e gazetarit sportiv italian Luigi “Luca” Esposito.

Sipas hetimeve, krimi ndodhi gjatë natës mes 18 dhe 19 korrikut në një zonë bujqësore në Cioffi të Ebolit, ku 53-vjeçari dyshohet se u dhunua dhe më pas iu vu zjarri trupit. Autoritetet po hetojnë ende rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa motivi është mbajtur i rezervuar dhe përshkruhet vetëm si i lidhur me “arsye private dhe personale”.

Hetuesit bëjnë me dije se Rahmouni ndodhej në Itali në mënyrë të parregullt dhe ishte subjekt i një urdhri dëbimi. Ai u arrestua nga karabinierët në një banesë të braktisur pas një hetimi intensiv, ku u përdorën gjurmët e gishtërinjve, analizat e antenave telefonike dhe prova të tjera.

Pas seancës së vleftësimit, avokati mbrojtës Mauri deklaroi se ekzistojnë disa elemente që kërkojnë hetime të mëtejshme, duke theksuar se edhe mënyra e vdekjes së viktimës mund të ndikojë në kualifikimin juridik të akuzës, e cila sipas tij mbetet ende e përkohshme.

Sipas mbrojtjes, 26-vjeçari u është përgjigjur pyetjeve të gjyqtarit dhe ka dhënë sqarime lidhur me ngjarjen. Ndërkohë, avokati nuk komentoi mbi mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se Esposito dhe i dyshuari njiheshin prej rreth një muaji dhe kishin qenë në kontakt telefonik para takimit, i cili dyshohet se ishte planifikuar. Autoritetet vijojnë të hetojnë motivin që çoi në shpërthimin e dhunës, ndërsa pritet edhe përfundimi i ekspertizave mjeko-ligjore për të sqaruar plotësisht dinamikën e ngjarjes.