“Është një test i rëndësishëm në lidhje me vlerësimit e lojtarëve që grumbullohen për herë të parë”


Tekniku pohon se do të eksperimentojë nesër ndaj afrikanëve


Altin Manallari


De Biazi gjate intervistes ne SuperSportShqipëria nis më në fund aventurën zvicerane, gjatë së cilës do të ndeshet me Kamerunin në një ndeshje miqësore, që do të luhet në Gjenevë nesër në mbrëmje. Kuqezinjtë e përzgjedhur nga trajneri Xhani de Biazi për këtë ndeshje janë akomoduar gjatë mbrëmjes së djeshme në ambientet e hotelit zviceran dhe sot do të zbresin në fushë për stërvitjen e parë nën drejtimin e teknikut italian. Numri një i pankinës kuqezi, në një intervistë të dhënë për “SuperSport”, ka sqaruar se sfida me Kamerunin është një test i mirë, ku do të provohen futbollistët që grumbullohen për herë të parë, por edhe për të krijuar më shumë harmoni mes grupit të futbollistëve që janë stabël në përfaqësuesen e epokës “De Biazi”. Ndërkohë që këmbëngul se nuk do të jetë aspak e lehtë të luajnë kundër Kamerunit. “Për ne është një test i rëndësishëm nga këndvështrimi i vlerësimit të lojtarëve që kemi grumbulluar, sidomos të atyre që janë grumbulluar për herë të parë, deklaron tekniku italian i Shqipërisë. Gjithçka që po bëjmë do të na shërbejë për t’u përgatitur për 6 ndeshjet e ardhshme eliminatore të Botërorit 2014. Ndërsa futbollistëve të tjerë, të cilët janë grumbulluar edhe më parë në Kombëtare, kjo miqësore do t’u shërbejë për t’u harmonizuar me njëri-tjetrin”. Duke thënë këtë, De Biazi dëshiron të theksojë edhe një herë se në këtë ndeshje nuk do të nënvlerësohet rezultati, por ai pohon se nuk do të jetë ky objektivi i parë. “Na duhej një ndeshje si kjo, ku rezultati është i rëndësishëm, por jo vendimtar, pasi qëllimi kryesor është të testojmë lojtarët e rinj dhe të harmonizojmë grupin që kemi. Është një test i rëndësishëm dhe aspak i lehtë për ne”, shton më tej tekniku, i cili në rast të një fitoreje, do t’u bënte shqiptarëve një dhuratë të bukur në prag të festës së madhe të 100-vjetorit të Pavarësisë. Në lidhje me lënien jashtë të Bogdanit, Salihit dhe disa lojtarëve të tjerë, ai ka theksuar se “kjo miqësore nuk më shërben për Bogdanin, po ashtu edhe për disa lojtarë të tjerë, mbi të cilët unë kam ide më të qarta se çfarë mund të më japin në fushën e lojës. E përsëris, është një miqësore që do të na shërbejë për të bërë edhe ndonjë eksperiment”, thotë De Biazi. Po ashtu komenton edhe risitë e listës së lojtarëve të grumbulluar për herë të parë, mes të cilëve përmend edhe emrin e Vangjelit. “Edhe atë do ta shikoj për herë të parë të luajë me kombëtaren, pasi ka qenë i dëmtuar. Balaj e Vajushi e meritonin një shans të tillë, pas paraqitjeve që kanë bërë me skuadrat e tyre. Ndërsa Telushi është një lojtar që e kam parë në grumbullimin e parë që bëmë në janar. Një lojtar që na pëlqeu, e fitoi aty këtë ftesë. Të shohim nëse përshtypjet që kam pasur në janar do të vlejnë”. Pyetjes se si mund ta ndalim Samuel Eto’onë, yllin e Kamerunit, i cili do të jetë në fushë kundër Shqipërisë, De Biazi i është përgjigjur me një batutë: “Po, e kam një plan për Eto’onë, do ta ndalim me një snajper nga tribuna (qesh)”. Kuqezinjtë do të zhvillojnë vetëm dy seanca stërvitore përpara kësaj ndeshjeje.