Trajneri i Kombëtares kuqezi mbron kapitenin para italianëve
Altin Manallari
Zbarkoi në Itali nën emrin e lojtarit që shkakton shumë faulle për futbollin e Serisë A, shumë i ngadaltë për të bërë salton e kualitetit të mesfushës së Lacios, prej vitesh në kërkim të një mesfushori të fortë dhe substancial. Në vitin e tij të parë në Formello, Lorik Cana ka koleksionuar dritëhije, duke u dëmtuar në shpinë pikërisht në momentin në të cilin dukej se e kishte gjetur hapësirën e tij. Me ardhjen e Petkoviç, shqiptari dukej se do të ishte titullar, do të bëhej një nga pikat e referimit dhe të forcës së mesfushë, por paraqitja e Ledesmës i ka mohuar çelësin e këtij reparti dhe Loriku e ka parë veten në rolin e një lojtari stoli. Por nëse në Itali “Luftëtari” nuk ka demonstruar ende se ka ato cilësi të liderit, për të cilat është admiruar te Marseja dhe Gallatasari, dhe në vendin e tij (Shqipëri) është vërtet një idhull, si mund të jetë përpara pjesës tjetër të botës. Sipas “Tuttomerkatoëeb.com”, pas prezantimit të mirë të numrit 27 të Lacios në ndeshjen kundër Parmës, mikrofonat e “Radio Sei 98,100” kanë kontaktuar ekskluzivisht pikërisht me trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë, Xhani De Biazi, i cili prej një viti të plotë ka mërguar nga Italia në shtetin e Gadishullit të Ballkanit, për të analizuar cilësitë e mesfushorit, i cili tashmë duket se po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një mbrojtës qendre. Trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, ka një pyetje të madhe në kokë, së cilës nuk mundet t’i japë një përgjigje të saktë. Pse Lorik Cana nuk po gjen hapësira te Lacio në një kohë që është lider në radhët e kuqezinjve? Gjatë një intervistës, De Biazi shprehet se Cana mund të interpretojë shumë mirë edhe në rolin e mbrojtësit, por shton se pozicioni i tij ideal është përpara mbrojtjes, aktualisht i prenotuar te Lacio nga kapiteni i skuadrës, Ledesma. “Loriku është një lojtar shumë i zhdërvjellët dhe e theksoj se ai mund të luajë me shumë siguri si mbrojtës, ashtu sikurse ka bërë në kombëtaren e Shqipërisë. Në ndeshjen e fundit kundër Kamerunit, Cana ka luajtur pjesën e parë si mbrojtës dhe në të dytën përpara mbrojtjes, thuajse si Ledesma te Lacio, pikërisht për të konfirmuar fleksibilitetin e tij”. Kapiteni i Shqipërisë është një beniamin i vërtetë i De Biazit, ish-trajnerit të Breshias, i cili është përpjekur të shpjegojë pse aspiratat e tij prej lideri në atdhe nuk marrin përgjigjen e duhur në Itali: “Loriku është një djalë me personalitet të madh, udhëheq mbrojtjen dhe është shumë i fortë në luftën në ajër, me një ritëm dhe shpejtësi mendimi. Është normale që kur luan para mbrojtjes, duhet pak kohë që të ambientohet me ndryshimin e rolit, edhe pse e bën në mënyrën e duhur rolin e tij, duke bërë shkatërruesin shumë mirë. Del në pah kundër skuadrave që luajnë me vertikalizime dhe me topa të lartë, falë aftësive të tij për të goditur me kokë”, ka deklaruar tekniku i Shqiponjave, duke vazhduar të mbrojë kampionin e tij. “Në Kombëtaren e Shqipërisë Loriku është një lojtar me shumë përvojë dhe personalitet dhe këto vlera dalin në pah kur të marrin në konsideratë edhe shokët e skuadrës, por edhe duke luajtur në vazhdimësi, – është shprehur trajneri i Shqipërisë. Kështu mund të imponohesh si lider dhe e them me siguri, se ai është i tillë, sepse di kur të flasë dhe është shumë inteligjent”. Me kaq shumë cilësi të vlerësuara nga De Biazi dhe të demonstruara dukshëm në Kombëtare dhe në eksperiencat e tij të mëparshme, përse Loriku nuk po mundet t’i tregojë te Lacio, ku duket se nuk po mundet të shpërthejë ende. “Nuk arrij ta shpjegoj faktin se përse në Itali nuk arrin të imponohet, edhe pse duhet thënë se Lacio ka një organikë të kolauduar, ndaj është shumë e vështirë. Nëse nuk je protagonist në një skuadër, të mungon motivimi dhe përqendrimi për të dhënë më të mirën. E përsëris, është normale që të bëhet fjalë edhe për çështje vlerash në fushë, sepse Lazio ka vlera të jashtëzakonshme me një identitet të qartë”, thekson tekniku i Shqipërisë.