Trajneri cilëson si rivalet kryesore Norvegjinë dhe Islandën
Altin Manallari
Në rrugën drejt Brazilit ka histori interesante për t’u ndjekur, nga ato fabulat e vërteta në pritje për të shkruar fundi, mundësisht të lumtur. Mes skuadrave që bien më shumë në sy është Shqipëria trajnerit italian, Xhani De Biazi. Me fitoren në Norvegji, shteti i vogël ballkanik kapërceu në vendin e dytë, vetëm dy pikë nga kryesuesja e klasifikimit, Zvicra. Për këtë shprehet pikërisht trajneri i saj, De Biazi, në një intervistë ekskluzive për “Tuttomercatoëeb”.
Xhani De Biazi, Shqipëria është një nga zbulimet e eliminatoreve të botërorit. Skuadra është e dyta në grupin E, pas Zvicrës. Deçiziv ishte suksesi në Oslo kundër Norvegjisë, shumë herë më të kuotuar…
“Një fitore e rëndësishme kundër një skuadre, që në renditjen e FIFA është 35 vende më lart. Duke gërmuar në histori nuk ekzistonte kurrë më parë një fitore kundër një ekipi që qëndronte më lart në klasifikim. Por jam i lumtur edhe për fitoren kundër Lituanisë, një 4-1 i bukur, i cili më ka dhënë indikacione të rëndësishme në prag të sfidës së 7 qershorit, kur do të përballemi sërish me Norvegjinë, këtë herë në shtëpi”.
Në një intervistë të vjetër e jepnit si të pamundur kualifikimin për në Botëror…
“E vërtetë, por oreksi vjen duke ngrënë dhe gjëja që më befason është se tani në Shqipëri e shikojnë thuajse si një falimentim mosrritjen e një bilete për në Brazil”.
Cilat ishin pritshmëritë kur ju pranuat detyrën e trajnerit?
“Kur mora në dorë skuadrën, dikush më tha se ishte momenti i gabuar, se Kombëtarja vinte nga një periudhë në të cilën ikonat e vjetra ishin duke u larguar. Në të kaluarën ishin një skuadër më kompetitive, Kombëtarja kishte në gjirin e saj shumë lojtarë që luanin në Gjermani, por edhe në Itali si Tare. Thashë që me këtë skuadër nëse në fillim të eliminatoreve do të parashikoja vendin e tretë, do të më merrnin të gjithë për gënjeshtar. Tani duket se nuk mjafton vendi i tretë”.
Si u prit në Shqipëri fitorja kundër Norvegjisë?
“Një gëzim i pamasë. Dukej njëlloj si kur Italia fitoi Botërorin. Ishin të gjithë mosbesues, shpresa në fillim të ndeshjes ishte të rrëmbenim maksimumi një barazim. Ishte hera e parë që arrihej te një sukses i tillë dhe më të drejtë si të gjitha herët e para festohet në mënyrë të veçantë”.
Cilët janë rivalët kryesorë në grup?
“Në këtë moment i kam frikë të gjithë: sigurisht Norvegjinë, por edhe Islandën, që të gjithë e marrin lehtë, por që ka lojtarë që janë titullarë në Premier League si Sigurdson i Totenhemit. Më ka çuditur Sllovenia, e cila ka grumbulluar vetëm 3 pikë, e vështirë për t’u shpjeguar kjo rënie”.
Me gjykim të ftohtë si e shikoni ecurinë e Shqipërisë?
“Tani mund të them se që kur kam ardhur këtu, kam parë hapa përpara në organizimin e lojës. Taktikisht jemi përmirësuar dhe ekzistojnë shpresa që në të ardhmen t’i kemi të gjithë në dispozicion. Për fat të keq me Norvegjinë do të na mungojnë tre: Cana i Lacio, Roshi, që është një lojtar, të cilin e vlerësoj shumë, por që në Gjermani te FSV Frankfurti luan në mënyrë të pashpjegueshme pak, dhe Lila, që luan tek Pas Janina, në Greqi. Nuk do të jetë e lehtë, por përballë vështirësive do të reagojmë në mënyrën e duhur”.
Ku duhet të mësojë ende kjo skuadër?
“Këta djem nuk duhet të ulen dhe të mendojnë se janë më të mirët. Me Lituaninë kisha frikë, i trembesha një rënieje të tensionit pas fitores në Oslo. Por jam surprizuar në mënyrë të kënaqshme nga prova e lojtarëve të mi”.
Një batutë, në fund, për Paolo Ponzo, me të cilin ke ndarë momente emocionuese te Modena…
“Vdekja e tij më ka lënë pa fjalë. Paolo ishte një djalosh i artë, së bashku kemi ndarë momente shumë të bukura. Më duket e pamundur që ka vdekur duke ndjekur pasionin e tij të madh për vrapimin. Ishte një makinë luftë dhe nuk arrij ta perceptoj vdekjen e tij”.
Shtypi norvegjez dhe lituanez
“Shqipëria, kandidate reale për në Brazil 2014”
Ishte vetëm një fitore e thellë e Shqipërisë në një ndeshje miqësore, por jehona e saj është ndier jashtë kufijve shqiptarë, më së shumti në Norvegji dhe në Lituani. Norvegjezët i kanë ende të hapura plagët e humbjes së pësuar në shtëpinë e tyre të premten e javës së kaluar. Për ta vazhdon të jetë e pabesueshme që pësuan një humbje në shtëpi përballë një skuadre modeste. Por gjatë mbrëmjes së të martës së miqësores ndaj ndeshjes Shqipëri-Lituani mendjen e kanë pasur në “Qemal Stafa”, sepse duan që të marrin masat për ndeshjen e kthimit më 7 qershor në Tiranë. “Shqipëria nuk është surprizë, por kandidate reale për në Brazil”. Ky ishte titulli i të përditshmes norvegjeze “Aftenposten”. Për këtë gazetë, “fitorja 4-1 ndaj Lituanisë ishte një konfirmim se kjo skuadër, e konsideruar modeste deri një javë më parë, është përmirësuar ndjeshëm dhe do të jetë një rival i ashpër i Norvegjisë në luftën për vendin e dytë në grupin E të eliminatoreve të botërorit”. Më pas “Aftenposten” thekson se “skuadra e trajnerit Egil Olsen duhet të nxjerrë mësime nga humbja në shtëpi dhe nga fitorja shqiptarëve ndaj Lituanisë për ndeshjen e kthimit”. Ndërkohë që shtypi lituanez (Lietuvos) e ka konsideruar shkatërrimtare humbjen në Shqipëri, duke theksuar se kuqezinjtë e De Biazit “triumfuan në këtë sfidë me shumë lehtësi, në një fushë që pas shiut rrebesh më shumë ishte si një ‘dush balte’”. Megjithatë, theksojnë se “nuk mund të quhet justifikim, pasi përballë kishin një Lituani të dobët, edhe për shkak të eksperimenteve fatale të trajnerit Laszlo”.