I pari shpreh kënaqësinë, i dyti s’ka marrë ende pasaportën
Altin Manallari
Jyrgen Gjasula do të jetë surpriza e re e listës së trajnerit Xhani de Biazi për ndeshjen me Norvegjinë, ndërsa Loret Sadiku do të mungojë, sepse ende nuk ka përfunduar dokumentet për t’u pajisur me pasaportë shqiptare. Kanë qenë pikërisht këto dy lajmet që kanë mbërritur në lidhje me përfaqësuesen në prag të ndeshjes më të rëndësishme të këtyre eliminatoreve.
Ftesa
I lindur në Tiranë dhe me nënshtetësi gjermane, Jyrgen Gjasula, 27 vjeç, kishte refuzuar disa herë më parë ftesën për t’u bërë pjesë e Kombëtares kuqezi (e fundit, në 2011, kur në timon ishte Josip Kuzhe). Atëherë lojtari synonte të arrinte kombëtaren gjermane. Por kjo dëshirë e tij nuk është realizuar dhe më shumë se sa për të thënë se është penduar, mesfushori aktual i Duisburgut në Bundesligën II ka vendosur të paktën të mos humbasë shansin e fundit për të luajtur me Shqipërinë. Pas pajisjes me pasaportën shqiptare, dje është mësuar se Gjasula ka marrë ftesë zyrtare nga trajneri Xhani de Biazi për t’u grumbulluar për ndeshjen e 7 qershorit ndaj Norvegjisë në Tiranë. Kjo ka bërë që ai të mos bëjë aspak pushim, pas një sezoni të vështirë në Bundesligën II. Tekniku italian më parë kishte udhëtuar drejt Duisburgut për të sqaruar detajet me mesfushorin me tipare sulmuese. “Jam shumë i gëzuar në lidhje me ftesën në Kombëtare, ka thënë Gjasula për ‘RP-online.de’. Pas një viti të vështirë, ky është një tjetër shpërblim i bukur për punën e madhe dhe për faktin se unë kurrë nuk hoqa dorë”. Për mesfushorin, i cili në moshën 4-vjeçare emigroi në Gjermani, kjo do të jetë hera e parë që do të veshë bluzën kuqezi. Deri atëherë ai dëshiron të mbajë veten në formë. Kjo është edhe një arsye se përse Gjasula nuk udhëtoi me skuadrën e Duisburgut drejt Majorkës. Për më tepër, mes tij dhe klubit vazhdojnë negociatat për rinovimin e kontratës, që skadon në fund të këtij muaji. Karrierën si futbollist profesionist Gjasula e ka nisur te Freiburgu (2003–2004) dhe më pas ka veshur bluzat e Kaizerslautern, St. Gallen, Bazel dhe FSV Frankfurt. Që nga 2011-a, luan për MSV Duisburgun.
Pengesa
Po dje është mësuar se Loret Sadiku, sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë mundësi të debutojë me Kombëtaren ndaj Norvegjisë. Vonesa në kompletimin e dokumentacioneve e ka zvarritur nisjen për pajisje me pasaportë shqiptare dhe kjo është arsyeja që mbrojtësi i ekipit suedez të Helsingborgut nuk do të ketë mundësi ta veshë fanellën kuqezi më 7 qershor. “Edhe pak javë pres disa dokumente nga policia suedeze për ta kompletuar dokumentacionin për pajisje me pasaportë shqiptare, ka thënë 21-vjeçari për gazetën kosovare online “Express”. Është kohë e shkurtër dhe nuk besoj se do arrij t’i kompletoj të gjitha dokumentet për t’u pajisur me pasaportë shqiptare, para ndeshjes me Norvegjinë”, ka theksuar Sadiku. Përveç nënshtetësisë shqiptare, Sadikut i duhet edhe leja nga FIFA për ta veshur fanellën kuqezi, pasi më herët ka zhvilluar tri ndeshje me ekipin U-21 të Suedisë.
6 emrat e rinj
Vullnet Basha (FC Sion)
Amir Abrashi (Grasshoppers)
Ergys Kaçe (PAOK)
Ilir Berisha (Orebro SK)
Jyrgen Gjasula (MSV Duisburg)
Azdren Llullaku (Gaz Metan)
Loret Sadiku
Mbrojtës qendre, 21 vjeç, 1.80 m i gjatë, luan për Helsingborgs në Suedi. Përdor shumë mirë këmbën e djathtë dhe në treg kap një vlerë prej 500 mijë eurosh
Jyrgend Gjasula
Mesfushor dhe mesfushor i avancuar, 27 vjeç, 1.87 m i gjatë, luan për Duisburgun në Gjermani. Përdor shumë mirë këmbën e djathtë dhe vlera e tij është 800 mijë euro
Kombëtarja
Kuqezinjtë e Superiores
e nisin grumbullimin
një javë para planit
Data 29 maj ishte planifikuar si dita e parë e grumbullimit të futbollistëve të Kombëtares nën drejtimin e trajnerit Xhani de Biazi në prag të ndeshjes së rëndësishme të eliminatoreve të Botërorit 2014 ndaj Norvegjisë më 7 qershor në Tiranë. Por dje është mësuar në FSHF se tekniku italian ka vendosur që të afrojë me një javë datën për nisjen e fazës përgatitore vetëm për pesë kuqezinjtë që vijnë nga kampionati shqiptar. Nga dita e sotme, në dispozicion të trajnerit kuqezi do të jenë lojtarët e Skënderbeut, portieri Orges Shehi, mesfushori Sabien Lilaj, mbrojtësi i majtë Renato Arapi, mbrojtësi Tefik Osmani i Teutës dhe mesfushori Erjon Vucaj i Laçit. Gjatë kësaj periudhe synimi i De Biazit është të kontrollojë formën e këtyre 5 lojtarëve, të cilët do të jenë pjesë e listës, që tekniku pritet të shpallë këto ditë.