Kupa e Botës vazhdon të dhurojë emocione dhe surpriza, ndërsa gara ka hyrë tashmë në fazën më vendimtare. Vetëm katër kombëtare kanë mbetur në garë për trofeun më të rëndësishëm në futboll: Franca, Spanja, Anglia dhe Argjentina.

Tashmë secila prej tyre ndodhet vetëm dy fitore larg kurorëzimit kampione e botës. Me një vend në finale në lojë, gabimet nuk falen më dhe çdo detaj mund të bëjë diferencën.


Mbappe – Lamine, duel titanësh në gjysmëfinale

Çfarë pritet?

Përballja mes Francës dhe Spanjës konsiderohet si një finale e parakohshme. Dy prej kombëtareve më të forta të Evropës do të përballen në një sfidë që ka potencialin të mbetet gjatë në historinë e Kupës së Botës.

Kylian Mbappe ishte edhe një herë protagonist absolut në fitoren 2-0 ndaj Marokut, duke e çuar Francën në gjysmëfinale. Sulmuesi ka shënuar tetë gola në këtë Botëror dhe ndodhet vetëm një gol larg Lionel Messit në garën për t’u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës.

Megjithatë, forca e Francës nuk qëndron vetëm te Mbappe. Ousmane Dembele vulosi suksesin në çerekfinale dhe numëron pesë gola në turne, ndërsa Michael Olise ka qenë “truri” i repartit ofensiv, duke kryesuar renditjen e asistuesve me pesë pasime për gol.

Kjo thellësi në organikë mund të rezultojë vendimtare përballë një Spanje që dy vite më parë eliminoi pikërisht Francën në gjysmëfinalen e Euro 2024, duke fituar më pas turneun.

Megjithatë, ekziston bindja se skuadra e Luis de la Fuente ende nuk ka treguar versionin e saj më të mirë.

Lamine Yamal, i konsideruar si ylli i së ardhmes së futbollit botëror, ende nuk ka shpërthyer në këtë Botëror. Talenti i Barcelonës ka realizuar vetëm një gol, në fazën e grupeve ndaj Arabisë Saudite.

Edhe Mikel Oyarzabal, autor i katër golave, ka mbetur pa shënuar në dy ndeshjet e fundit, duke bërë që Spanja të sigurojë kualifikimin falë golave vendimtarë të zëvendësuesit Mikel Merino ndaj Portugalisë dhe Belgjikës.

Spanja, kampione bote në vitin 2010, shpreson që pikërisht në gjysmëfinale Yamal, i cili do të mbushë 19 vjeç një ditë para ndeshjes, të zhvillojë paraqitjen që të gjithë presin prej tij.

Statistikat

  • Franca do të luajë gjysmëfinalen e saj të tetë në Kupën e Botës, duke barazuar Brazilin. Vetëm Gjermania ka më shumë, me 12 gjysmëfinale.
  • Spanja është në serinë më të gjatë pa humbje në historinë e saj, me 36 ndeshje radhazi pa u mposhtur që nga humbja 1-0 ndaj Kolumbisë në mars 2024. Gjatë kësaj periudhe ka regjistruar 27 fitore dhe 9 barazime.
  • Kjo do të jetë vetëm përballja e dytë mes Francës dhe Spanjës në një Kupë Bote. E para u zhvillua në vitin 2006, kur francezët fituan 3-1 në fazën e 1/16-ave.

Angli – Argjentinë, rikthimi i një rivaliteti historik

Çfarë pritet?

Gjysmëfinalja tjetër sjell përballë dy prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror.

Për Anglinë është gjysmëfinalja e dytë e Kupës së Botës që nga viti 2018, por përballë saj do të jetë kampionia në fuqi, Argjentina, e vendosur për të mbrojtur titullin.

Ky duel mbart një histori të gjatë rivaliteti, që daton prej Kupës së Botës 1986, kur Diego Maradona eliminoi pothuajse i vetëm anglezët në çerekfinale me “Dorën e Zotit” dhe golin e shekullit.

Këtë herë, Argjentina vjen me një tjetër numër 10 legjendar: Lionel Messi.

Kapiteni argjentinas nuk është përballur asnjëherë me Anglinë në një ndeshje zyrtare, dhe një gjysmëfinale Botërori është skena ideale për sfidën e parë mes tyre.

Messi, i cili gjatë këtij turneu u bë golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës, kryeson garën për “Këpucën e Artë” së bashku me Kylian Mbappe. Të dy kanë realizuar nga tetë gola.

Nga ana tjetër, Anglia mbështetet te Jude Bellingham, i cili ka shënuar nga dy gola në secilën prej dy ndeshjeve të fundit me eliminim direkt. Ai është futbollisti i parë që arrin një statistikë të tillë që nga Diego Maradona në vitin 1986.

Edhe kapiteni Harry Kane vazhdon të jetë një armë e rëndësishme për anglezët, me gjashtë gola të shënuar deri tani.

Asnjëra skuadër nuk ka dominuar plotësisht gjatë këtij Botërori. Si Anglia ashtu edhe Argjentina kanë siguruar kualifikimet falë karakterit dhe forcës në ndeshjet me eliminim direkt.

Për këtë arsye, pritet një duel shumë fizik dhe emocional, ku vendimtare mund të jenë eksperienca dhe detajet, edhe pse trajneri Thomas Tuchel ka kërkuar që skuadra e tij të shfaqë më shumë cilësi sesa në fitoren ndaj Norvegjisë në çerekfinale.

Statistikat

  • Që prej vitit 2018, Anglia ka arritur katër gjysmëfinale në turne madhorë, po aq sa kishte arritur gjatë gjithë historisë së saj para Botërorit 2018.
  • “Tre Luanët” kanë fituar katër ndeshje radhazi në këtë Botëror, seria më e mirë e tyre në një edicion të vetëm që nga triumfi historik i vitit 1966.
  • Thomas Tuchel është vetëm trajneri i dytë në historinë e Anglisë që mbetet i pamposhtur në gjashtë ndeshjet e para të një Botërori. I pari ishte Alf Ramsey në vitin 1966, me bilanc identik: pesë fitore dhe një barazim.
  • Argjentina ka arritur në gjysmëfinalet e Kupës së Botës për herë të tretë në katër edicionet e fundit (2014, 2022 dhe 2026). Para vitit 2014, “Albiceleste” nuk kishte qenë në katërshen më të mirë që nga Botërori i vitit 1990.