Portugezi e sheh veten ende larg Milanos, por ofertat mungojnë dhe për këtë arsye trajneri Amorim e pret për turneun aziatik.
“Kisha folur tashmë me Milanin për mundësinë e të provuarit një përvojë të re, nuk e di nëse do të ndodhë. Duhet të paraqitem atje më datë 29 dhe për sa kohë të jem atje do të jap maksimumin, gjithmonë në respekt të fanellës që më ka dhënë gjithçka. Mendoj se është një klub që më ka ndihmuar shumë në çdo aspekt, por në jetë njeriu ka ambicie edhe për gjëra të tjera dhe nëse do të ndodhë, do të studioj opsionet, por mbetem një lojtar i Milanit”.
Kështu u shpreh Rafael Leao në një podcast brazilian, duke qenë se aktualisht ndodhet në Brazil për ditët e fundit të pushimit të dhëna nga Milani pas Botërorit. Fati i Leaos duket se është larg Milanos, pasi në disa raste portugezi kishte lënë të kuptohej se ishte në kërkim të një sfide të re. “Mendoj se kam dhënë gjithçka që mund të jepja. Dëshiroj të provoj një sfidë të re në një kampionat të ri”, ishin fjalët shumë të drejtpërdrejta të Rafas para Botërorit.
Megjithatë, për momentin mungojnë ofertat e rëndësishme. Vetëm Galatasaray dhe Fenerbahce i janë afruar anësorit, por duke mbetur shumë larg vlerësimit që i bëjnë kuqezinjtë kartonit të tij, i cili vërtitet rreth 50 milionë euro.
Për këtë arsye, anësori do t’u bashkohet shokëve të skuadrës më 29 korrik në Australi për turneun aziatik. Ndërkohë, Leao po stërvitet në ambientet e Corinthians: “Corinthians, faleminderit shumë dhe jemi bashkë. Nuk i dihet kurrë se çfarë rezervon e ardhmja, por jam jashtëzakonisht mirënjohës që më keni hapur dyert për t’u stërvitur”.
