Transferimi i Karim Adeyemit te Barcelona mban edhe vulën shqiptare. Olsi Rama ka bërë të ditur se ka qenë pjesë e ekipit që finalizoi një nga operacionet më të rëndësishme të merkatos së verës, duke bashkëpunuar ngushtë me superagjentin Jorge Mendes dhe Tino Tahon. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi një fotografi nga zyrat e Barcelonës, ku shfaqet krah presidentit Joan Laporta, drejtorit sportiv Deco, Jorge Mendes dhe vetë Karim Adeyemit, në momentin e prezantimit të sulmuesit gjerman.
“Shumë krenar për punën për të sjellë Karim Adeyemin te Barcelona së bashku me Jorge Mendes dhe Tino Taho. Faleminderit presidentit Laporta dhe drejtorit sportiv Deco për mikpritjen. Suksese Karim!”, shkroi Rama.
Prania e tij në takimin zyrtar me drejtuesit e klubit katalanas dhe deklarata publike hedhin dritë mbi përfshirjen e shqiptarëve në një prej transferimeve më të rëndësishme të futbollit europian gjatë kësaj vere. Adeyemi është një nga afrimet më të bujshme të Barcelonës, ndërsa në këtë operacion, sipas Olsi Ramës, krahas punës së Jorge Mendes dhe drejtuesve të klubit, kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe Tino Taho. Ky zhvillim përbën një moment të rëndësishëm edhe për futbollin shqiptar, pasi dëshmon se emra shqiptarë po bëhen pjesë e negociatave në nivelin më të lartë të merkatos europiane./ Top Channel

