Ish-portieri i njohur është i sigurt për emërimin e trajnerit pas Europianit
Ermal Kuka
E ardhmja e Italisë quhet Xhani De Biazi. Për këtë është i bindur ish-portieri i njohur i përfaqësues italiane, Valter Zenga, i cili dje për mediat e vendlindjes nuk ka ngurruar ta cilësojë punë të kryer emërimin e trajnerit të përfaqësues shqiptare në vendin që do të lërë bosh Antonio Konte pas Euro 2016.
Deklarata e Zengës
Ish-portieri, i cili festonte dje 56-vjetorin, prej disa vitesh është në rolin e trajnerit në klube të ndryshme. I pyetur nëse po mendonte për kombëtaren italiane që mbetet pa trajner pas Europianit, Zenga ka nxjerrë veten jashtë garës, të cilën e mendon të mbyllur që tani. “Unë nuk kam meritat dhe të drejtën për të drejtuar kombëtaren italiane. Sipas meje duhet të kesh një CV pak më interesante. Dje dëgjova Mançinin të thoshte se askush nuk do ta refuzonte kombëtaren. A t’ju them unë kush do të jetë trajneri i kombëtares? Do të jetë Xhani De Biazi”, ishin fjalët e Zengës, i cili në vitet e fundit ka drejtuar ekipe si Palermo e Sampdoria.
Rivaliteti me Kapelon
Edhe pse emri i De Biazit tashmë shihet si kandidatura kryesore për të drejtuar Italinë pas Europianit, presidenti i Federatës Italiane (FIGC), Karlo Tavekio, insiston për Fabio Kapelon. Ky i fundit ka bërë të qartë se nuk synon të marrë drejtimin e Italisë dhe po mendon pensionin. Por Tavekio ka filluar të bisedojë me sponsorë të ndryshëm, për t’i siguruar një rrogë të standardeve të larta, ashtu siç kërkon trajneri i mësuar me pagesa shumë të larta në stolin e Anglisë dhe Rusisë. Federata Italiane ka caktuar rrogën 3,5 milionë euro në vit për trajnerin e ri (përfshirë stafin). Nëse kjo shifër do të dyfishohet falë sponsorëve individualë, atëherë Tavekio ka bindjen se Kapelo do të pranojë të marrë drejtimin e ekipit në kualifikueset e Botërorit 2018. Kapelon e tërheq ideja e numrit 1 të FIGC për t’i dhënë edhe postin e këshilltarit për sa i përket departamentit të ekipeve kombëtare, duke i dhënë fuqi të mëdha vendimmarrjeje brenda institucionit. Megjithatë, nëse bisedimet me sponsorët do të dështojnë, atëherë numri 1 i FIGC do të përqendrohet tërësisht te De Biazi, me të cilin mendohet se ka një akord paraprak.
Përgjigjja e De Biazit
Paralelisht me interesimin e Italisë, emri i De Biazit është përfshirë edhe në listën e trajnerëve më të mundshëm për drejtimin e Lacios. Mediat italiane shkruan për një drekë pune të zhvilluar mes tij, Igli Tares dhe Klaudio Lotitos, të cilën trajneri i kombëtares shqiptar e ka refuzuar kategorikisht për “Cittaceleste”. “Nuk është e vërtetë asgjë. Unë nuk kam asnjë lidhje me Lacion, nuk kam marrë asnjë telefonatë dhe nuk e takoj Taren prej një viti. Në këtë moment po përqendrohem vetëm te Europiani dhe nuk mendoj për asnjë klub. Nëse më vjen telefonata e Lotitos? Nuk jam mësuar të flas për gjëra që nuk kanë ndodhur. Flasim përsëri nëse mbërrin një telefonatë e tillë”, ishte batuta e De Biazit, i cili duket se po mban të hapur çdo opsion për të ardhmen e tij.