Shkumbini arrin të marrë fitoren e parë në shtëpi, duke mundur 1-0 Besën


Më në fund duket se Vllaznia e Shpëtim Duros është zgjuar, duke marrë një fitore 3-0 në “Loro Boriçi” ndaj Luftëtarit. Flamurtari triumfon 2-0 ndaj Tomorit, ndërsa Shkumbini ndëshkon Besën me rezultatin 1-0.


Vllaznia, ashtu si Flamurtari dhe Shkumbini arrin që në javën e tretë të marrë fitoren e parë sezonale, ku sot shkodranët kanë mposhtur me rezultatin 3-0 Luftëtarin. Vllaznia e trajnerit Duro është përballur me kritika të shumta në këto javë, pasi në dy ndeshje shkodranët morën vetëm një pikë. Përballja me gjirokastritët ishte prova e vërtetë për Vllazninë, ku padyshim nuk lejoheshin gabimet. Kuqeblutë kanë bindur sot, megjithatë golat janë shënuar nga kapiteni dhe njëkohësisht mbrojtësi i ekipit, Dritan Smajli, që shënoi dy herë dhe rumuni Dragoi. Vllaznia e nis vrullshëm takimin dhe fatmirësisht kësaj radhe e gjejnë golin shumë shpejt, ku në minutën e 8-të realizon Smajli. Në minutën e 30-të Dragoi finalizon si duhet krosimin e dhënë nga Deliç dhe 2-0 për Vllazninë. Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë, por një minutë para se të mbyllej kjo pjesë Luftëtari mbetet me 10 vetë, pasi shkodrani Ramadani që luan në radhët e gjirokastritëve merr kartonin e dytë të verdhë. Pjesa e dytë nis me insistimin e miqve, ndërsa vendasit më të qetë kërkonin administrimin e fitores së pjesës së parë. Rastin më të pastër për shënim e patën gjirokastritët me Nikoliç në minutën e 61-të, por pa sukses. Në minutën e 67-të, Deliç bën gjithçka bukur dhe në fund pengohet nga portieri Selimaj dhe gjyqtari akordon penallti. Topin nga pika e bardhë e godet Smajli dhe 3-0 për Vllazninë. Në minutat e mbetura rezultati nuk pëson ndryshim dhe 90 minutat mbyllen 3-0. Kjo fitore sjell qetësinë te shkodranët, ndërsa gjirokastritët pas fitores 4-1 me Teutën, rikthehen me këmbë në tokë. Flamurtari i trajnerit Hulian Rubio arrin të marrë fitoren e parë ditore e cila vjen në javën e tretë në transfertën e Beratit, në një stadium të boshatisur, për shkak të pezullimit. Vlonjatët fitojnë 2-0 ndaj Tomorit, ku beratasit me këtë humbje koleksionojnë dështimin e tretë radhazi. Takimi nisi mjaft mirë për vlonjatët, të cilët që në minutën e dytë gjejnë golin me sulmuesin lushnjar, Pepa. Edhe pas golit vlonjatët vijojnë të dominojnë në fushë dhe në minutën e 40-të gjejnë golin e dytë dhe të qetësisë me Lenën, i cili e finalizon në mënyrë perfekte asistin e dhënë nga Memelli. 0-2 mbyllet pjesa e parë. Pjesa e dytë vijon nën kontrollin e kuqezinjve, që kanë edhe disa raste të tjera, por pa sukses. Në minutën e 70-të beratasit mbeten me një lojtar më pak, pasi mbrojtësi Hysko ndëshkon me karton të kuq, pas një ndërhyrjeje të gabuar si lojtar i fundit. Gjithçka mbyllet me fitoren 2-0 të Flamurtarit. Shkumbini pas dy zhgënjimeve në start gjen fitoren e parë, në përballjen e sotme me Besën, takim i cili ka përfunduar me rezultatin 1-0. Peqinasit fitojnë me golin e njërit prej dy djemve të trajnerit Gugash Magani, pikërisht të Endrit, që realizon në minutën e 56-të. Me këtë fitore Shkumbini lë fundin dhe ky tripikësh ndaj Besës shikohet si një sinjal shprese për peqinasit.


 


 


Superiore (Java III)


TË PREMTEN


Teuta-Tirana    1-1


Deliallisi 5′ / Ahmataj 64′


 


TË SHTUNËN


Apolonia-Kukësi 0-0


Bylis-Skënderbeu     1-1


Pejic 70′ / K.Arbri 90′


 


DJE


Tomori-Flamurtari    0-2


Pepa 2′, Lena 40′


Shkumbini-Besa  1-0


E.Magani 56′


Vllaznia-Luftëtari   3-0


Smajli  8′, 68′ (11-m), Dragoi 30′


 


SOT


14:00 Laçi-Kastrioti


 


 


Klasifikimi


Skuadra    N    P


1. Skënderbeu   3    7


2. Tirana  3    7


3. Besa    3    4


4. Vllaznia     3    4


5. Kastrioti    2    4


6. Flamurtari   3    4


7. Laçi    2    4


8. Luftëtari    3    4


9. Teuta   3    4


10. Kukësi 3    2


11. Shkumbini   3    3


12. Bylis  3    2


13. Apolonia    3    2


14. Tomori 3    0