Kosova dhe Zvicra do të luajnë sot në stadiumin e Prishtinës “Fadil Vokrri” dhe do të trasmetohet drejtpërdrejtë në DigitAlb nga ora 20:45.

Dardanët ndodhen në vendin e dytë në klasifikim me 10 pikë, ndërsa Zvicra është e para me 13 të tilla. Për t’u kualifikuar, Kosovës i duhet një fitore me rezultat të thellë me shifrat 6-0, ndërkohë që helvetët mund ta ruajnë vendin e parë, me çfarë do rezultati tjetër, qoftë edhe me humbje prej pesë golave diferencë.

Ndërkohë që kjo ditë ka filluar me përmbytje të mëdha në Kosovë, madje edhe në Prishtinë ku do të zhvillohet ndeshja, një situatë që sigurisht ka sjellë edhe diskutime dhe kontrolle të shumta në stadiumin ku është parashikuar të luhet ndeshja. Megjithatë, delegatët e ndeshjes së bashku me përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës kanë mbajtur nën vëzhgim situatën e fushës së stadiumit “Fadil Vokrri” dhe më pas është institucioni i futbollit ai që ka nxjerrë një njoftim.

Federata e Futbollit të Kosovës sapo ka publikuar një pamje ku shihet gjendja në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fushën që duket në gjendje të shkëlqyer.

“Gjithçka gati për Kosovë – Zvicër. Jemi Kosova, jemi Dardanët”-, shkruan FFK.