Zinedin Zidan po bëhet gati që të kthehet në pankinë. Francezi ka drejtuar në dy periudha të ndryshme Real Madridin dhe që atëherë nuk ka pranuar asnjë lloj oferte tjetër, edhe pse nuk kanë munguar të tilla.

I ftuar në një aktivitet në Itali, ai ka zbuluar se po pret që të marrë ftesën për të drejtuar Francën, nga e cila do të largohet Didier Deshamp pas përfundimit të Botërorit 2026. I ngacmuar nëse mendonte kthimin te Juventusi, Zidan ka treguar se ndoshta ajo do të ishte një etapë e të ardhmes, pas përfaqësueses.

“Me siguroi do të kthehem përsëri të trajnoj. Kthim te Juventusi? Nuk e di. Nuk ka ndodhur deri tani, kam bërë edhe zgjedhje të tjera. Juventusin e kam gjithmonë në zemër, më ka dhënë shumë kur kam ardhur këtu. Pastaj për të ardhmen nuk i dihet. Ndjesia ime është që ajo që dua të bëj në të ardhmen është të mund të drejtoj një përfaqësuese, edhe pse nuk flas për aktualisht. Dua ta bëj një ditë, por të shohim”, tha ai, duke bërë të qartë se nuk kishte ndër mend të merrte vendin e Deshamp para Botërorit.