Romela Begaj – Sportistja 28-vjeçare, e cila fitoi medaljen e artë në shkëputje në Botëror, do të kthehet të garojë në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare vetëm pas 1 dhjetorit 2016


Daniel Godelli – Peshëngritësi 23-vjeçar, i cili në Botërorin e Kazakistanit mori dy medalje të arta dhe një të argjendtë, do të lejohet të garojë përsëri vetëm pas datës 12 dhjetor 2016


Hysen Pulaku – Peshëngritësi, i cili u përjashtua nga Lojërat Olimpike Londër 2012 pasi rezultoi pozitiv ndaj stanozololit, nuk do të marrë pjesë as në Rio 2016 dhe as në Tokio 2020 


Peshëngritësit mbyllin dënimin e tyre vetëm në dhjetorin e vitit 2016



Daniel Godelli dhe Romela Begaj nuk do ta përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Olimpike 2016. Pavarësisht kërkesës së Federatës Shqiptare të Peshëngritjes për një reduktim të mundshëm të dënimit dyvjeçar të atletëve, që ata të merrnin pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm, Federata Ndërkombëtare nuk ka bërë tolerime. Pas përditësimit të të dhënave të saj në faqen e internetit, në seksionin e të pezulluarve për antidoping janë shfaqur emrat e Daniel Godellit, Romela Begajt dhe Hysen Pulakut, si dhe dënimet përkatëse që i lënë për një kohë të gjatë jashtë aktiviteteve zyrtare.


Romela Begaj, e para që rezultoi pozitive ndaj stanozololit në Botërorin e Kazakistanit, do të jetë e pezulluar deri me datë 1 dhjetor 2016. Pak ditë më vonë, nga testimet e të njëjtit aktivitet rezultuan pozitivë edhe Daniel Godelli dhe Hysen Pulaku, po ndaj substancës së ndaluar stanozolol. Daniel Godelli, në listën e publikuar nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes, rezulton i pezulluar nga të gjitha aktivitetet zyrtare deri më datë 12 dhjetor 2016. Kësisoj, për të dy sportistët elitarë, që shpresonin të merrnin medalje në Rio 2016, kjo ëndërr ka marrë fund dhe ata do të duhet të ndjekin si spektatorë aktivitetin në fjalë, pasi pezullimet për përdorim dopingu i pengojnë të jenë qoftë edhe pjesëtarë të delegacioneve.


Situata e Hysen Pulakut është edhe më e komplikuar, pasi atleti është dënuar me 8 vjet pezullim nga aktivitetet, meqë rezulton përsëritës ndaj përdorimit të substancave të palejuara. Dënimi i 22-vjeçarit përfundon më 12 dhjetor të vitit 2022, që do të thotë se përveç Lojërave Olimpike 2016 në Rio, ai do të humbasë edhe atë të radhës në vitin 2020 në Tokio, gjithmonë nëse do të kthehet të jetë pjesë e peshëngritjes deri atëherë.


Ndonëse datat e dënimeve u janë komunikuar prej disa javësh sportistëve, Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka preferuar që ashtu si me rezultatet e testimeve antidoping të atletëve, të mos bëjë asgjë publike. Edhe vetë FSHP-ja është në pritje të masës ndëshkimore të marrë ndaj saj, për shkak të përdorimit të dopingut nga atletët shqiptarë. Sipas rregulloreve të Federatës Ndërkombëtare, për shkak të rezultateve pozitive brenda një viti të 4 atletëve (në maj 2014 u dënua me 2 vjet pezullim edhe Arbër Çerçizi), Federata përkatëse do të dënohet me 100 mijë dollarë gjobë. Në rast mospagese të kësaj gjobe, FSHP-ja do të pezullohet një vit nga aktivitetet. Sigurimi i të ardhurave për të përballuar pagesën e gjobës është një telash më vete për FSHP-në. Ajo ka shpenzuar pjesën më të madhe të fondeve të siguruara nga granti shtetëror për të stërvitur në Greqi tre atletët që rezultuan pozitivë, si dhe më pas për të ndjekur çështjet e tyre në WADA apo para panelit dëgjimor të Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes. Gjithashtu, Federata, e cila pretendonte të çonte 6 atletë në Rio 2016, tashmë duhet të fillojë programimin që të përfaqësohet me Erkand Qerimajn në këtë aktivitet, pasi 26-vjeçari është i vetmi peshëngritës shqiptar i padënuar që mund të arrijë normat olimpike.