Klubi italian AC Milan ka zyrtarizuar emërimin e Igli Tares si drejtor sportiv, duke shënuar një hap të rëndësishëm në projektin e ri sportiv të klubit dhe një moment historik për futbollin shqiptar.
Në një komunikatë zyrtare, klubi kuqezi njoftoi se Tare do të raportojë drejtpërdrejt te Administratori i Deleguar, Giorgio Furlani, duke theksuar rolin kyç që ai pritet të ketë në ndërtimin e Milanit të së ardhmes.
I lindur në Vlorë, Tare ka një përvojë të gjatë në futbollin italian, fillimisht si lojtar, e më pas si drejtues. Ai shpenzoi mbi 15 vite te Lazio, ku u bë një nga figurat kryesore në sukseset e klubit, duke ndihmuar në fitimin e tre Kupave të Italisë dhe tre Superkupave Italiane.
Në deklaratën e tij të parë si drejtues i Milanit, Tare tha:
“Të bëhesh pjesë e një Klubi si Milan është një burim krenarie dhe përgjegjësie. Falënderoj klubin për besimin dhe jam i vendosur të jap maksimumin për ta rikthyer Milanin në majat e futbollit italian dhe europian.”
Ndërkohë, administratori i deleguar Giorgio Furlani u shpreh:
“Tare është figura ideale për të kontribuar në rilindjen e klubit përmes një projekti sportiv ambicioz. Ai sjell kompetencë, përvojë dhe një vizion ndërkombëtar që përputhet me objektivat tanë afatgjatë.”
