Kategoria I


Tashmë është zyrtare: pas katër sezonesh, më në fund Partizani është rikthyer në Kategorinë Superiore. Gjithçka është arritur pas fitores 2-1 kundër Naftëtarit në javën e 27 të Kategorisë së Parë. Tri pikët e marra ndaj kuçovarëve, falë golave të Abazajt dhe Tushes, i mjaftojnë skuadrës së Hasan Likës për të siguruar përfundimisht vendin e dytë dhe rikthimin mes më të mirëve të vendit, aty ku ka shkruar me gërma të mëdha historinë e futbollist shqiptar ndër vite. Aktualisht, ku duhet edhe 3 javë për t’u mbyllur sezoni, të kuqtë pozicionohen të dytët në kuotën e 54 pikëve, 12 më shumë se sa Pogradeci i vendit të tretë. Festa e të kuqve ka nisur. Lushnja, me humbjen 2-1 në Himarë e ka shtyrë sërish zyrtarizimin si kampione e Kategorisë së Parë. Naftëtari është e vetmja skuadër që ka siguruar rënien një kategori më poshtë, ndërsa pritet të zyrtarizohen edhe tre skuadrat e tjera që do t’i ndjekin kuçovarët.